Teherani ka ndërmarrë një valë të re sulmesh me raketa ndaj Izraelit në orët e fundit, duke shënuar një përshkallëzim të ndjeshëm të situatës në rajon. Një sulm i mëngjesit në Tel Aviv la gjashtë persona të plagosur, pasi një raketë me rreth 100 kilogramë eksploziv goditi zonën.
Sipas autoriteteve izraelite, vetëm një raketë u lëshua drejt Tel Avivit, por besohet se ishte ose një variant i ri i një rakete balistike me rreze të mesme veprimi ose një sistem me kokë shpërndarëse që përmbante 3-4 bomba të mëdha, secila me peshë rreth 100 kilogramë.
Ky zhvillim vjen pas një armëpushimi që zgjati 15 orë. Më herët në mbrëmje, Izraeli kishte ndërmarrë sulme ndaj objektivave në Iran, çka duket se nxiti reagimin e menjëhershëm të Teheranit, i cili goditi disa zonë të Izraelit.
Ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë konfirmuar dëme në jug të vendit si pasojë e sulmeve të reja me raketa gjatë natës. Sipas një deklarate zyrtare, njësitë e emergjencës janë dërguar në disa zona ku janë raportuar goditje.
Gjatë gjithë natës, sirenat e alarmit janë aktivizuar në pjesë të ndryshme të Izraelit, pas paralajmërimeve të përsëritura për lëshime raketash nga Irani.Situata mbetet e tensionuar, ndërsa pritet reagimi i mëtejshëm i palëve dhe komunitetit ndërkombëtar.



