Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Sulmet e vazhdueshme në veri, politikë kërcënuese e Vuçiqit”

 
   

Hedhja e granatës së dorës në lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës gjatë ditës së djeshme, po konsiderohet si akt hakmarrës me motive kriminale. Nga instituti Octopus vlerësojnë se ky sulm ka ardhur si shkas i arrestimit të serbëve për krime lufte me datën 20 shtator, por që sipas tyre kjo është edhe strategji që Vuçiq e përdor kundër Kosovës.

Përveç këtij sulmi, gjatë ditës së djeshme është raportuar edhe për tre shpërthime të tjera me granata dore në fshatin Ranilluk, të cilat kanë shkaktuar dëme materiale.

Hulumtuesja e lartë nga instituti Octopus, Arta HaxhiXhemjali për KosovaPress tha se pas çdo akti të tillë që ka për qëllim destabilizimin e situatës në veri, qëndrojnë organizata të shpallura terroriste.

Haxhixhemjali: Hedhja e granatës është akt hakmarrje, me motive kriminale

“Akti që ka ndodhur, hedhja e granatës në lagjen e boshnjakëve është akt hakmarrje, me motive kriminale që ka ardhur si shkas i arrestimit të serbëve. Mirëpo në anën tjetër, kjo është edhe lloj i politikës që Vuçiqi e përdor kundër Kosovës, por edhe kundër krimeve të kryera në Kosovë nga ana e Serbisë… Pas çdo akti të tillë që ka për qëllim destabilizimin e situatës në Veri janë organizata terroriste të shpallura, por që janë nën politikën e Vuçiqit për qëllim të implementimit të atyre politikave të kërcënimit, agresionit. Po ashtu, edhe frikësimit siç po e shohim edhe rastet që po ndodhin”, tha Haxhixhemjali.

Tutje, Haxhixhemjali potencoi se sulmet e tilla janë gjithmonë serioze, derisa shtoi se qëllimi i tyre është tensionimi dhe nxitja e konflikteve.

Haxhixhemjali: Qëllimi i këtyre sulmeve shpien tek tensionimi dhe nxitja e konflikteve

“Sulme të tilla gjithmonë kanë seriozitet të lartë, për arsye sepse duhet të analizohen dhe të merren masa që të parandalohen. Për arsye se qëllimi i tyre shpie tek tensionimi dhe nxitja e konflikteve, po ashtu edhe politikat të Rusisë dhe të Serbisë që kanë për qëllim nxitjen e konflikteve ndikojnë në situata të tilla. Vlen të ceket se masat që ndërmarrën në parandalimin e këtyre situatave, por edhe kuptimi sa më i mirë i atyre politikave që paraqesin një realitet të ndryshëm sesa që është realiteti në veriun e Kosovës, siç është rasti propaganda e Rusisë edhe e Serbisë ndaj autoriteteve të Kosovës, por edhe rasteve të tjera”, shtoi ajo.

Ndërkaq, hulumtuesja e lartë Arta Haxhixhemjali u shpreh se ndërkombëtarët duhet t’i rishikojnë masat dhe të angazhohen në identifikimin e bandave që po shkaktojnë sulme dhe kërcënime të tilla.

Haxhixhemjali: Ndërkombëtarët duhet t’i rishikojnë masat, dhe t’i identifikojnë bandat

“Situata në veri sa i përket anës së ndërkombëtarëve të gjithë janë të vetëdijshëm se çfarë është duke ndodhur, por politikat e shteteve si të Serbisë dhe të Rusisë, që është duke u përdorur jo vetëm në Ballkan por edhe në vendet e tjera, duhet të rishikohen dhe të merren masa. Gjithashtu, duhet të ketë një tentativë për parandalim duke i identifikuar bandat siç janë organizatat terroriste për të parandaluar këso lloj të kërcënimeve që kanë qëllimin për përshkallëzim të situatës”, potencoi Haxhixhemajli.

Lidhur me rastin e djeshëm, të hedhjes së granatës në veri të Mitrovicës ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili pretendoi se ky sulm ishte shenjë revolte për arrestimin e tre serbëve, nën dyshime për krime lufte. Ai shtoi se krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund ndërsa hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë.

Ndaj këtyre sulmeve ka reaguar mbrëmë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeff Hovenier, i cili ka është shprehur i tronditur për siç thekson ai “mjetet shpërthyese në shumë pjesë të Kosovës”.