Lajme

Supremja ia refuzoi ankesat për zgjedhje, Emilja Rexhepi do t’i drejtohet Kushtetueses

Kryetarja e NDS, Emilja Rexhepi, ka njoftuar se partia e saj do të drejtohet te Gjykata Kushtetuese dhe të gjitha institucionet ndërkombëtare, pas refuzimit të dy ankesave të dorëzuara më parë në Gjykatën Supreme.

Gjykata Supreme kishte refuzuar ankesat e NDS, duke vlerësuar se fletëvotimet nuk mund të shpallen të pavlefshme mbi bazën e supozimeve se një parti politike ose kandidat nga komunitetet minoritare ka marrë mbështetje nga votues që nuk i përkasin këtij komuniteti.

Rexhepi ka kritikuar vendimin, duke theksuar se kjo rrezikon përçarjen politike dhe dobësimin e përfaqësimit të komunitetit boshnjak. Ajo ka deklaruar se vendet e rezervuara për boshnjakët po shndërrohen në “poligon manipulimi” dhe jo në mekanizëm mbrojtës për komunitetet.

“Partia e Re Demokratike vlerëson se me këtë veprim rrezikohet drejtpërdrejt e drejta e komunitetit boshnjak për të zgjedhur përfaqësuesit e vet dhe se është hapur procesi i degradimit institucional të garancive kushtetuese për pakicat. NDS do të aktivizojë të gjithë mekanizmat juridikë dhe politikë – para Gjykatës Kushtetuese dhe institucioneve ndërkombëtare – sepse është e qartë se pa mbikëqyrje institucionale të jashtme, vendet e rezervuara po shndërrohen në mjet të inxhinierisë politike të  komuniteteve të tjera”, shkruan Rexhepi në reagimin e saj në Facebook.

Të Ngjashme