Lajme

Supremja sqaron statusin e lëndës së NPB-së pas paralajmërimit për protestë

Gjykata Supreme e Kosovës ka bërë të ditur se lënda që lidhet me bllokimin e llogarive bankare të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) është duke u trajtuar, duke theksuar se nuk mund të paragjykojë afatin e përfundimit të saj.

Përmes një sqarimi për opinionin publik, Gjykata Supreme ka njoftuar se lënda është pranuar dhe regjistruar më 21 gusht 2026, me numër E. Rev. nr. 49/2026, dhe aktualisht është në shqyrtim.

Çështja lidhet me bllokimin e llogarive bankare të NPB-së, si pasojë e së cilës punëtorët e ndërmarrjes, sipas informacioneve të bëra publike, janë përballur me vonesa në realizimin e pagave.

Gjykata ka theksuar se i kupton shqetësimet e punëtorëve, por ka rikujtuar se trajtimi i çështjeve gjyqësore bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Sipas saj, përcaktimi i prioriteteve për shqyrtimin e lëndëve bëhet në bazë të dispozitave përkatëse ligjore, duke garantuar paanshmëri dhe trajtim të barabartë të palëve.

Sa i përket kohës kur mund të përfundojë shqyrtimi i kësaj lënde, Gjykata Supreme ka bërë të ditur se nuk mund të japë një afat paraprak, duke theksuar se çdo vendim do të merret në bazë të ligjit dhe rrethanave konkrete të rastit.

Në reagimin e saj, Gjykata ka shprehur respekt për të drejtën e punëtorëve dhe qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së gjyqësorit dhe shmangies së çdo forme presioni që mund të perceptohet si ndërhyrje në procesin e vendimmarrjes.

Në përfundim, Gjykata Supreme ka ritheksuar përkushtimin e saj për ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, duke siguruar që lënda të trajtohet me paanshmëri dhe në përputhje me standardet e administrimit të drejtësisë.

Të Ngjashme