
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës të hetojë çdo mundësi për përfshirje të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në aktivitetet kriminale të Mefail Shkodrës, i cili është në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.
Ai përmes një postimi në Facebook, theksoi se mbetet i pakompromis në angazhimin për integritetin personal dhe profesional të secilit shërbyes publik, duke shtuar se mbështet çdo formë të bashkëpunimit ndërinstitucional për ndërtimin e institucioneve kredibile dhe të besueshme.
“Askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm, veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat luftimin e veprimtarive ilegale në vendin tonë,” u shpreh Sveçla, duke shtuar se pret vendosmëri të ngjashme edhe nga sistemi i drejtësisë, në mënyrë që të garantohet siguri dhe sundim i ligjit në vend.
Postimi i plotë:
Brenda kompetencave të mia kam urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës, i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.
Në çdo deklarim publik dhe në çdo takim me mekanizmat që drejtoj, kam theksuar dhe kërkuar angazhimin maksimal të të gjitha strukturave për garantimin e integritetit personal dhe profesional të çdo shërbyesi publik në vendin tonë. Vazhdoj të jem i pakompromis në këtë drejtim dhe mbështes çdo formë të koordinimit ndërinstitucional që siguron institucione kredibile, të besueshme dhe plotësisht në shërbim të qytetarëve tanë.
Askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat parandalimin, hetimin dhe luftimin e çdo veprimtarie ilegale në vendin tonë.
Pres që me të njëjtën vendosmëri të veprojnë edhe hallkat tjera të sistemit, veçanërisht drejtësinë, në mënyrë që qytetarët tanë të jetojnë dhe të zhvillohen në një Republikë ku sundojnë siguria, rendi dhe ligji.