
Sot, më 8 gusht, përfundon afati i masës së përkohshme që e ka vendosur Gjykata Kushtetuese e Kosovës për çështjen e konstituimit të Kuvendit. Më 24 korrik, Kushtetuesja tha se deputetët nuk mund të marrin asnjë vendim e as të ndërmarrin ndonjë veprim rreth formimit të Kuvendit, deri më 8 gusht.
Kjo u bë pasi që ky institucion po shqyrton dy lëndë që janë kërkesa të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës të cilat duan sqarime për çështjet kushtetuese që lidhen me formimin e legjislaturës së nëntë.
Një kërkesë tjetër që shkoi në adresë të Kushtetueses është edhe ajo e presidentes Vjosa Osmani, por nuk dihet nëse ajo do të shqyrtohet pasi e para e shtetit e tërhoqi atë ditë më parë për shkak të emërimit të gjyqtarit Radomir Llaban si gjyqtar raportues në këtë rast. Osmani ka thënë se Llaban paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese kishte lëshuar edhe më herët një aktgjykim lidhur me çështjen e Kuvendit duke thënë se institucioni ligjvënës duhej të konstituohej në një afat prej 30 ditësh. Deputetët nuk e përfillën këtë vendim për të cilin vetë Kushtetuesja nuk tregoi se cilat janë pasojat e moszbatimit të tij.
Kosova është në krizë të thellë politike si pasojë e mosformimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Deputetët e zgjedhur janë mbledhur 54 herë nga 15 prilli deri fund të korrikut, por nuk kanë arritur të formojnë trupat e legjislativit. Procesi ka ngecur të zgjedhja e kryetarit të Kuvendit pasi që partia e parë – Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk kanë arritur t’i sigurojnë votat për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare.
Partitë që deri tash ishin në opozitë e konsiderojnë të papranueshëm emrin e Haxhiut.
Pas gjashtë dështimeve në votim të hapur, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit, por kjo nuk u përkrah nga partitë e tjera parlamentare. Ato kanë akuzuar kryesuesin e seancës – deputetin e LVV-së, Avni Dehari, për shkelje të Kushtetutës sa i përket udhëheqjes së seancave.
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, tha më herët për KosovaPress se Gjykata Kushtetuese fillimisht duhet të konstatojë nëse procedura e zhvilluar në seancën konstituive pas datës 26 qershor ka qenë në përputhje me Kushtetutën e vendit.
Sipas tij, nëse konstatohet se insistimi i kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për votim të fshehtë në zgjedhjen e kryeparlamentarit është antikushtetues, atëherë një prej mundësive është që të theksohet se afati tridhjetëditor nuk është konsumuar dhe të kthehet në pikën zero, në momentin e votimit të hapur për kryeparlamentarin.
Krahas kësaj, ai tha se një prej skenarëve mund të jetë që Kushtetuesja të nxjerrë vendim se e drejta e partisë së parë në zgjedhje për propozim të kryetarit të Kuvendit nuk është absolute, e përhershme dhe pa kufizime, por të vendosë kritere sesi duhet të konsumohet dhe përmbushet, në mënyrë që mos të bllokohet konstituimi i Kuvendit.
Mbi bazën e këtyre parametrave, Bugaqku theksoi se e drejta e propozimit për kryetar të Kuvendit mund t’i kalohet grupeve të tjera parlamentare që të gjejnë një kandidaturë që siguron 61 vota.
Megjithatë, në vitin 2014, përmes një aktgjykimi, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se partia e parë në zgjedhjet parlamentare gëzon të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit.
Vendimi i Kushtetueses për hapat tutje drejt konstituimit të kuvendit pritet të publikohet sot.