Lajme

“Ta haj dreqi, pse Kosova mbetet peng i pazareve?” – Mekuli shpërthen pas krizës për zgjedhjen e Presidentit

Gazetari Gëzim Mekuli ka reaguar ashpër ndaj krizës politike për zgjedhjen e Presidentit/Presidentes së Kosovës, duke e cilësuar situatën si “prodhim vendor” dhe pasojë të mentalitetit bllokues brenda klasës politike.

Duke komentuar takimin mes Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku për sigurimin e 80 votave të nevojshme, Mekuli thekson se është e papranueshme që votat të “kërkohen” mes partive shqiptare në Prishtina, ndërkohë që vendi përballet me sfida të shumta të brendshme dhe të jashtme.

Sipas tij, propozimet e partive si Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (VV) tregojnë mungesë vullneti për një figurë unifikuese, duke e kthyer postin e Presidentit në “plaçkë lufte” partiake.

Mekuli paralajmëron se përmendja e zgjedhjeve të reja sa herë mungojnë votat është tallje me buxhetin dhe me qytetarët, ndërsa thekson se Kosova nuk mund të mbetet peng i pazareve politike.

Shkrimi i plotë:

Kërkohen 80 vota! Kosova në mahallet e pazareve – Shteti peng i tekeve partiake

Takimi i sotëm mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut për “sigurimin e 80 votave” nuk është thjesht një takim politik; është dëshmia e radhës e një krize jologjike, e ushqyer nga fanatizmi, prapambeturia politike dhe inati i prodhuar brenda kodit të mentalitetit tonë politik e social.

Po “kërkohen” 80 vota qe sa ditë rresht! Ku po kërkohen, pyet populli i shkret? Në Serbi? Në Mal të Zi? Në Greqi? Jo, 80 vota po kërkohen prej shqiptarëve për shqiptarët në Kosovë, midis Prishtinës; dhe 80 votat janë, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë qyterarët e Kosovës pa dallim etnie, kulture a religjioni.

Ndërsa po kërkohen me “mund e me djersë” 80 votat “magjike” (brenda shqiptarëve!) për zgjedhjen e Presidentit/Presidentes, klasa politike e Prishtinës, e ndikuar fort nga klasa çoroditëse e Tiranës, po e kthen procesin politik në një shfaqje teatrale tragjiko-komike.

Në këtë lojë të turpshme, interesi partiak po peshon më shumë se stabiliteti i brishtë i Kosovës sonë të dashur.

Propozimet e PDK-së, AAK-së, LDK-së që kandidati t’i takojë subjektit të tyre, apo ideja e VV-së për “garë të hapur” vetëm në mungesë të marrëveshjes, tregon se asnjëra palë nuk synon në të vërtetë një figurë Bashkuese.

Fatkeqësisht, posti i Presidentit po trajtohet si plaçkë lufte, e jo si simbol i Bashkimit popullor.

Kjo krizë është “prodhim vendor”. Pikë! Sepse është poshtërsi që partitë shqiptare e bllokojnë njëra-tjetrën me një kokëfortësi që nuk do ta shfaqnin as përballë sfidave të jashtme. Pamundësia për të siguruar 80 vota mes partive shqiptare është një turp jo vetëm institucional, që buron nga paaftësia jonë për të komunikuar përtej inateve personale.

Mbi të gjitha, kjo dëshmon rënien e mendimit kritik në një kohë kur bota “po digjet”, ndërsa shqiptarët vazhdojnë t’i thyejnë shpatat kundër njëri-tjetrit.

Përmendja e zgjedhjeve të reja sa herë që mungojnë numrat është një tallje me buxhetin e shtetit, është kërcënim për shëndetin psikofizik të popullit dhe një hajgarallëk i keq me vullnetin e popullit. Kosova nuk mund të qëndrojë në “ethet e votimeve” çdo gjashtë muaj, vetëm pse deputetët nuk duan ta kryejnë detyrën e tyre kushtetuese në Kuvend.

Të dashur lexues,

Nëse 120 deputetë nuk gjejnë forcën morale për të zhbllokuar zgjedhjen e Presidentit/Presidentes të Kosovës, atëherë faji nuk i mbetet sall sistemit, por një mentaliteti që po e gërryen shtetësinë nga brenda. Kosova jonë e shtrenjtë nuk ka nevojë për pazare orësh të vona, por për përgjegjësi ndaj shtetit që politikanët pretendojnë se e duan.

Bota është në flakë dhe gjeopolitika po rishkruhet me forcë; pyetja ime që shtrohet është:

– A do të mbetet “fitorja” e radhës partiake mbi hirin e një shteti të paralizuar, suksesi i vetëm i kësaj kaste politike?

– A jemi vërtet një komb që e meriton shtetësinë, nëse energjinë tonë më të madhe nuk e shpenzojmë për t’u bërë ballë rreziqeve të jashtme, por për të gjetur mënyrën më efikase se si t’ia nxjerrim sytë njëri-tjetrit?

Ta haj dreqi, sot jam i shetësuar, i mërzitur, i brengosur dhe i zhgënjyer shumë; më shumë se shumë, jashtzakonisht shumë.

Të Ngjashme