Lajme

Takimi i fundit: ​Millosheviq e refuzoi Hollbrukun, ky i tha “topi tash është te NATO”, një ditë para bombardimeve

Richard Hollbruk kishte dal, sërish i refuzuar, nga takimi me Sllobodan Millosheviqin, në Beograd, më 23 mars 1999.

Ky i fundit i tha të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për çështjen e Kosovës, se Jugosllavia e Serbia nuk pranojnë atë që e quajti ultimatum të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për t’i tërhequr forcat nga Kosova, e i cili, në fakt, nga ndërkombëtarët quhej plan i paqes.

‘Kemi zhvilluar dy ditë bisedime intensive me presidentin Millosheviq dhe bashkëpunëtorët e tij. Theksuam dy çështje. Së pari, kërkuam dëshmi se do të ketë armëpushim të operacioneve ushtarake që po zhvillohen në Kosovë, dhe së dyti, gatishmëri për të ndërmarrë veprime të menjëhershme që do të çonin shpejt në vendosjen e një force të udhëhequr nga NATO në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e Rambujesë. Një forcë, dua ta theksoj, që nuk do të ishte as pro dhe as kundër ndonjë grupi etnik, por në favor të paqes në rajon. Siç i kemi raportuar Presidentit Klinton dhe Sekretares Ollbrajt, nuk pati zotime nga autoritetet jugosllave për asnjërën nga këto çështje. Prandaj, jemi udhëzuar të shkojmë tani në Bruksel dhe t’u raportojmë aleatëve tanë në NATO, e më pas të kthehemi në Uashington”, pati deklaruar Hollbruk, pas këtij takimi, sipas raportit të AP-së të kësaj dite, përcjellë KosovaPress.

Pasi e përfundoi takimin me Millosheviq dhe komunikimin me mediet në Beograd, Hollbruk u nis menjëherë në Bruksel. Këtu, sekretarit të përgjithshme të NATO-s, Havier Solana ia dha lajmin që Millosheviq nuk pranoi planin e paqes.

“Dje, me mbështetjen tuaj, na dërguat në Beograd për të tentuar t’i bindnim autoritetet jugosllave se paqja është më e mirë se alternativat me të cilat po përballemi tani. Ne u përpoqëm, pa ndonjë sukses të dukshëm, të paktën deri në këtë moment, të bëjmë të qartë se një forcë e udhëhequr nga NATO, e ftuar në Kosovë, nën udhëheqjen tuaj dhe përgjegjëse ndaj NATO-s, ishte mënyra më e mirë për të parandaluar që shqiptarët dhe serbët të vrasin njëri-tjetrin”, tha ai, në prani të Solanas, që ishte parë goxha i “mërzitur” në këtë dalje të përbashkët për medie.

Hollbruk tha se politikanët dhe mediet në Jugosllavi e Serbi e keqinterpretuan, qëllimisht, pozicionin e NATO-s, duke e shitur atë në publik, te populli, sikur plani i Aleancës është pro shqiptarëve të Kosovës e kundër serbëve.

“Duhet t’ju them juve dhe mediave këtu se në Jugosllavi dhe Serbi sonte, pozicioni ynë është keqinterpretuar plotësisht dhe paraqitet si një forcë që do të kishte mbajtur anë. Në këtë drejtim, populli serb është dezinformuar nga mediat e tyre dhe nga deklaratat e zyrtarëve të lartë, të cilët kanë keqinterpretuar marrëveshjet e Rambujesë dhe kanë keqkuptuar atë që ju dhe NATO po ofronit. Si pasojë e këtij keqkuptimi, kuvendi serb e refuzoi sot atë ofertë, ndërsa udhëheqja jugosllave dhe Presidenti Millosheviq gjithashtu e hodhën poshtë”, tha Hollbruk, në Bruksel, një ditë para se NATO të niste sulmet ajrore kundër forcave serbo-jugosllave.

Hollbruk shtoi se pas dështimit në Beograd përpjekjet diplomatike, kanë marrë fund, ani se ato mund të ngjallen, nëse ka interes nga Millosheviq. Tani, sipas tij, cështja tani kalon plotësisht te NATO.

“Tani, procesi ju është kthyer juve, si simbolikisht ashtu edhe formalisht. Kjo tashmë është çështje e NATO-s. Unë do të shtoja vetëm se kanalet diplomatike do të mbeten gjithmonë të hapura, por misioni ynë, të cilin e përfunduam disa orë më parë, sipas vlerësimit tonë, nuk kishte gjasa të sillte ndonjë përparim të mëtejshëm edhe nëse do të qëndronim më gjatë, dhe kjo është arsyeja pse Presidenti Clinton na kërkoi të kthehemi”, i tha ai Solanës.

Ky i fundit, nuk e tha asnjë fjalë, në këtë paraqitje. Ai foli të nesërmen, kur urdhëroi nisjen e sulmeve ajrore të NATO-s, kundër forcave serbo-jugosllave. Ato zgjatën 78 ditë. Më 10 qershor, Millosheviq pranoi kapitullimin. Ai dhe Serbia përgjithmonë e humbën Kosovën, në të cilën, dy ditë më vonë, hynë trupat e NATO-s, duke e çliruar atë, bashkë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. 

Të Ngjashme