Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Takimi Lavrov-Fidan: Stambolli si vendi për vazhdimin e bisedimeve Rusi-Ukrainë

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, njoftoi të martën se Stambolli mund të jetë mikpritës i raundit të dytë të negociatave të drejtpërdrejta midis Moskës dhe Kievit për të gjetur një zgjidhje për luftën në Ukrainë.

Ai këtë e tha gjatë një konference për shtyp pas takimit me Ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan, në Moskë.

Lavrov tha se do t’i drejtohej përsëri miqve turq për organizimin e negociatave, duke vlerësuar Stambollin si vend shumë të përshtatshëm.

Turqia kishte lehtësuar më parë raundin e parë të bisedimeve më 16 maj në Stamboll, ku palët ranë dakord për një shkëmbim të madh të të burgosurve – nga 1,000 persona nga secila palë – dhe për të vazhduar negociatat për armëpushim.

Takimi mes Lavrov dhe Fidan u mbajt në ditën e dytë të vizitës së punës së ministrit turk në Moskë, ku ai u takua gjithashtu me ndihmësin e presidentit rus, Vladimir Medinsky, udhëheqësin e delegacionit rus në bisedimet Rusi-Ukrainë, si dhe me presidentin Vladimir Putin.

Hakan Fidan shprehu gatishmërinë e Turqisë për të vazhduar negociatat dhe mbështetjen e Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, për procesin e paqes.

Ndërkohë, Lavrov dhe Fidan theksuan qëndrimet e përbashkëta të Turqisë dhe Rusisë lidhur me situatën në Gaza, duke dënuar dhunën në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor si “të papranueshme”.

Ministri turk bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës në Gaza, duke paralajmëruar se në të kundërt, situata mund të shkaktojë një kaos që përfshin edhe Izraelin, raporton Anadoly.

Fidan më parë u takua edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, ku u zhvilluan dikutime rreth luftës në Ukrainë pas bisedimeve të Stambollit, si dhe çështje dypalëshe që përfshijnë bashkëpunimin ekonomik dhe energjetik midis dy vendeve.

Gjithashtu, ministrat e jashtëm theksuan mbështetjen e përbashkët të Turqisë dhe Rusisë për sovranitetin dhe unitetin e Sirisë, duke sinjalizuar një koordinim të vazhdueshëm mes dy vendeve në çështje rajonale.