Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Takimi Osmani–Milei ndez debat në Argjentinë: “Rrezik për kauzën Malvinas”

 
   

Takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me presidentin e Argjentinës, Javier Milei, gjatë vizitës në New York në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka ngjallur reagime të ashpra në disa media dhe qarqe politike të Argjentinës.

Portali “AgendaMalvinas”, i cili zakonisht raporton për çështjen e ishujve Malvinas (Falkland), e cilësoi këtë zhvillim si hapje të një “fronti të ri diplomatik” që, sipas tyre, mund të dobësojë argumentet historike të Buenos Aires për sovranitetin mbi ishujt.

Në analizën e tyre theksohet se për herë të parë është realizuar një takim në nivel kaq të lartë mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Argjentinës, gjë që është quajtur nga kritikët “turpërim diplomatik”. Ata paralajmërojnë se një lëvizje e tillë bie ndesh me politikën tradicionale të Argjentinës për integritetin territorial, të cilën ajo e përdor për të mbrojtur pretendimin mbi Malvinas.

Ish-sekretari i Ministrisë së Jashtme për çështjen e ishujve, Guillermo Carmona, reagoi ashpër në rrjetin social X, duke e quajtur “jashtëzakonisht serioze” faktin që Milei u shfaq në foto me Osmanin. “Kjo bie në kontradiktë të plotë me qëndrimin tonë ndaj Malvinas,” shkroi Carmona.

Në shkrimet e mediave argjentinase është kujtuar gjithashtu pjesëmarrja e një kontingjenti të Forcës së Sigurisë së Kosovës vite më parë në mision në Falkland, në kuadër të marrëveshjes me Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërkohë, disa burime në Ministrinë e Jashtme në Buenos Aires janë shprehur se incidenti nuk paraqet shkelje të protokollit dhe nuk ka pasoja të drejtpërdrejta për politikën e jashtme të vendit, duke e parë si një gjest me motiv politik për të kënaqur ish-presidentin amerikan Donald Trump.

Fotografia e takimit u publikua nga Osmani më 27 shtator në Facebook, ku theksohej se ishte shkrepur gjatë pritjes së presidentit Trump në New York. “Diskutime të rëndësishme në interes të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve tanë,” shkroi ajo.

Çështja Falkland/Malvinas mbetet një plagë e hapur mes Britanisë dhe Argjentinës që nga lufta e vitit 1982, kur pas një konflikti të përgjakshëm kontrollin e ishujve e mbajti Mbretëria e Bashkuar.