Lajme

“Taksat gjyqësore nuk duhet të bëhen pengesë për qasjen në drejtësi”

Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me Grupin për Studime Juridike dhe Politike, ka organizuar një tryezë diskutimi lidhur me ndikimin e Udhëzimit Administrativ nr. 03/2025 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore në realizimin e së drejtës për qasje në drejtësi.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se opinioni i këtij institucioni për këtë çështje është nxitur nga reagimet publike dhe kërkesat e pranuara nga disa organizata të shoqërisë civile.

Ai theksoi se vendosja e taksave gjyqësore është kompetencë e shtetit, por ato duhet të jenë të balancuara dhe të analizuara në mënyrë që të mos krijojnë pengesa për qytetarët në realizimin e së drejtës për qasje në drejtësi.

Naim Qelaj – avokat i popullit: Taksat gjyqësore nuk duhet të bëhen pengesë për qasjen në drejtësi

“Ideja ose fakti pse ne kemi dalë me një opinion të tillë, del për shkak të reagimit publik, kërkesave që kemi pranuar nga disa organizata të shoqërisë civile, por edhe vetë ndjeshmërisë që ka tema e taksave gjyqësore, si një e drejtë ekskluzive e shtetit për t’i vendosur, por e cila gjithmonë duhet të jetë e balancuar, e barasvlershme dhe e analizuar mirë, për të mos me ndikuar dhe mos me pas, mos me paraqitë pengesë në qasjen në drejtësi”, tha Qelaj.

Sipas tij, opinioni trajton një çështje që shkon përtej ndikimit të tarifave gjyqësore, duke vënë në pah raportin ndërmjet kompetencave të institucioneve për rregullimin e sistemit gjyqësor dhe detyrimit të shtetit për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

Shteti duhet të garantojë qasje reale në drejtësi për çdo qytetar

“Rregullisht ky opinion trajton një çështje që shkon përtej ndikimit të tarifave gjyqësore, trajton raportin ndërmjet kompetencës së institucioneve për të rregulluar funksionimin e sistemit gjyqësor dhe detyrimit të shtetit për të garantuar që çdo qytetar të ketë mundësi reale për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave të tij”, tha Qelaj.

Kurse menaxheri i projekteve në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Liridon Salihi, ka thënë se Udhëzimi Administrativ nr. 03/2025 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore përmban dispozita që sipas tij, nuk janë arsyetuar mjaftueshëm, ndërsa rritja e taksave mund të ndikojë në qasjen e qytetarëve në drejtësi.

Në tryezën e organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit dhe GLPS-ja, Salihi tha se udhëzimi, i cili zbatohet që nga 1 janari 2026, parasheh rritje të taksave gjyqësore prej 20 deri në 600 për qind.

Poashtu ai bëri të ditur se GLPS-ja ka përgatitur një draft-analizë për taksat gjyqësore, duke krahasuar praktikat e Kosovës me ato të vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian.

Sipas Salihit, analiza ngre disa dilema lidhur me bazën ligjore për caktimin e taksave, rolin e tyre në buxhetin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), mungesën e analizës paraprake financiare dhe ndikimin e tyre në qytetarë.

GLPS-ja vë në pikëpyetje bazën ligjore për caktimin e taksave gjyqësore

“Si dilemë e parë, kemi thënë që është baza ligjore. E tha edhe Avokati i Popullit, ndonëse Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës i jep një kompetencë KGJK-së për me bë unifikimin e taksave gjyqësore, në fakt kjo a duhet të shihet si e drejtë edhe për vendosjen edhe për lartësinë e taksave për shërbime të caktuara që jepen nga ana e gjyqësorit?”, tha Salihi.

Ai ngriti pikëpyetje edhe për mungesën e një analize financiare para miratimit të udhëzimit, duke theksuar se disa taksa janë rritur ndjeshëm.

Salihi: Taksat gjyqësore janë rritur deri në 600 për qind

“Mos ta harrojmë që me këtë udhëzim administrativ kemi taksa që janë rritur nga 20 deri në 600%. Ta zëmë te paditë që kanë të bëjnë me ligjshmërinë e akteve juridike ose nënligjore juridike, taksa fillimisht ka qenë 50 euro, tash e kemi 250 euro. Ose për shembull edhe te këto kërkesat jomonetare në kontekstet e pronësisë intelektuale, që dikur kanë qenë 50 euro, tash i kemi me 350 euro”, deklaroi ai.

Salihi tha se këto rritje nuk janë paraprirë nga një analizë financiare që do të vlerësonte ndikimin e tyre në shoqëri.

Ai gjithashtu vuri në pikëpyetje arsyetimin e taksave më të larta në Kosovë krahasuar me vendet fqinje, duke marrë parasysh nivelin e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe pagën mesatare në vend.

Salihi: Si arsyetohen taksat më të larta në Kosovë se në vendet fqinje?

“Duke qenë se Kosova ka GDP-në edhe pagën mesatare më të ulët nga gjashtë vendet e rajonit, qysh mundet me u arsyetuar fakti që qytetarët tanë ngarkohen me taksa gjyqësore që janë më të larta se për krejt qytetarët e shteteve fqinje?”, u shpreh Salihi.

Të Ngjashme