Në mbledhjen e zhvilluar këtë të premte, më 10 prill, Këshilli i Ministrave miratoi një paketë të re nismash ligjore që prekin drejtpërdrejt ekonominë dhe sistemin fiskal në vend.
Gjatë komunikimit me mediat, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se një nga projektligjet kryesore lidhet me tatimin mbi të ardhurat.
Sipas saj, ndryshimet e propozuara synojnë një qasje më të drejtë fiskale, duke marrë në konsideratë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë, si dhe shtetasit e huaj që kanë zgjedhur të jetojnë në Shqipëri.
Një nga pikat kyçe të këtij projektligji është fakti që individët që konsiderohen rezidentë tatimorë në Shqipëri, por që sigurojnë të ardhura në vende të tjera dhe i paguajnë taksat atje, nuk do të tatohen sërish në Shqipëri.
Kjo masë synon të shmangë tatimin e dyfishtë dhe të krijojë një klimë më të favorshme për investim dhe jetesë.
Ministrja theksoi gjithashtu se kjo politikë lidhet me strategjinë për të tërhequr pensionistë nga jashtë vendit, të cilët mund të kontribuojnë në atë që njihet si “ekonomia e argjendtë”.
Ndërkohë, projektligji parashikon edhe lehtësira për kategori të veçanta, përfshirë përjashtimin nga tatimi për personat e verbër, duke synuar një mbështetje më të madhe sociale për këtë grup.
