Aktuale

Të dielën ndryshon ora/ Akrepat shkojnë një orë para, flemë më pak, por dita bëhet më e gjatë

Të dielën e 29 marsit, hyn në fuqi ora verore dhe akrepat do të lëvizin një orë përpara.

Konkretisht, në mëngjesin e së dielës, ora 02:00 do të shënojë 03:00, Me pak fjalë, nga e diela do të flemë një orë gjumë më pak, por ditët do të jenë më të gjata dhe do t’i gëzohemi ditëve me dritë e diell.

Ky ndryshim aplikohet në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, si pjesë e rregullave të përbashkëta për alternimin mes orës dimërore dhe asaj verore.

Qëllimi kryesor mbetet kursimi i energjisë dhe shfrytëzimi sa më i mirë i dritës së diellit gjatë muajve të ngrohtë. Një praktikë që në Europë zbatohet prej dekadash dhe, pavarësisht diskutimeve për ta hequr, vazhdon të jetë në fuqi.

Sa i përket përditësimit të pajisjeve që përdorim çdo ditë, mos u shqetësoni. Shumica nuk kanë nevojë për ndërhyrje. Telefonat inteligjentë, kompjuterat dhe orët smart do ta bëjnë ndryshimin automatikisht. Ndërsa ata që përdorin ora analoge apo më të vjetra, duhet ta rregullojnë vetë.

Ora verore do të qëndrojë deri më 25 tetor 2026, kur do të rikthehet sërish ora dimërore.

Të Ngjashme