Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Të fortët vendosin”, profesori zbërthen zgjedhjen e Hamzës në krye të PDK-së, përmend edhe Lushtakun!

 
   

Ditë më parë, Bedri Hamza u zgjodh kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, gjatë Konventës së mbajtur të kësaj partie.

Hamza u zgjodh përmes votimit të hapur dhe për të nuk kishte votuar kundër.

Ai nuk kishte kundërkandidat dhe zgjedhja e tij u bë pasi Memli Krasniqi ditë më parë dha dorëheqje nga kreu i partisë.

Mirëpo, zgjedhja e tij u komentua për faktin se nuk kishte kundërkandidat dhe u vlerësua si jodemokratike.

E për këtë çështje, për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi, i cili fillimisht mirëpriti dorëheqjen e Krasniqit, derisa tha se ky i fundit nuk ishte i lirë në rolin e tij në PDK.

 Image
 Enver Bytyçi 
 

Krahas kësaj, vlerëson se Krasniqi ka pasur presion në momentin kur u dorëhoq, megjithëse beson se Hamza e Meriton pozitën e kyetarit të kësaj partie.

“Memli Krasniqi dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës dhe njoftoi mbajtjen e Konventës së Partisë për zgjedhjen e kryetarit të ri brenda pesë ditësh. Dorëheqja e zotit Krasniqi ishte qytetare. Ai dëshmoi se nuk është mastik pas pushtetit dhe se është njeri i lirë. Të dorëhiqesh është si të thuash kthim te liria e munguar. Memli Krasniqi nuk ishte i lirë. Ai kishte presion të jashtëzakonshëm prej ekstremistëve të Partisë Demokratik, sepse për mua ishte i moderuar.

Presioni ndaj tij u duke edhe në momentin që u dorëhoq. Sepse shpalli menjëherë mbajtjen e Konventës për kryetarin e ri, çka dëshmoi se kryetari ishte paracaktuar. Bedri Hamza u zgjodh kryetar i Partisë Demokrarike të Kosovës. Por, shtrohet pyetja e parë, a e meriton zoti Hamza këtë detyrë të lartë në krye të partisë kryesore të ish-opozitës, ose partisë së dytë më të madhe në vend. Mendoj se po. PDK pritej që në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti të dilte forcë e tretë politike në Kosovë. Ajo tejkaloi LDK-në dhe mbeti sërishmi forcë e dytë edhe për shkak të performancës së kandidatit të PDK-së për kryeministër, pra të Bedri Hamzës. Suksesi i tij elektoral nuk ishte fitues. Por ishte arritja më e mundshme në kushtet e kësaj partie. Memli dhe Bedri Hamza kishin rolin kryesor. Në këtë kuptim kreu i ri i PDK-së nuk mund të kontestohet”, deklaroi ai.

Mirëpo, Bytyçi theksoi se tjetër është të meritosh diçka e tjetër të krijosh gjasa të ndryshon gjërat në PDK.

Sipas tij, Hamza është mënaxher, por jo lider, pasi “të fortët” e kësaj partie e vendosën atë në udhëheqësi.

“Por është tjetër ta meritosh një pozitë të tillë dhe tjetër gjë të krijosh shpresa se mund ta nxjerrësh partinë në fjalë nga pozicioni ku është. Nuk besoj se Bedri Hamza mund ta bëjë këtë. Ai është menaxher shumë i mirë, njeri shumë i mirë, por jo edhe lider. Partia Demokratike e Kosovës nuk po prodhon dot liderë. Zgjedhja e Bedri Hamzës është plotësimi i dëshirës së të fortëve në këtë parti. Të fortët si Sami Lushtaku kanë vendosur që të sjellin sërishmi në krye të partisë një person me imazh poitiv, por që nuk ka asnjë ambicie për t’u bërë lider. Nuk ka autoritetin dhe pretigjin minimal për t’u përballur me sfidat e kohës në Kosovë. Ky është Bedri Hamza”.

Tutje, profesori kritikoi mënyrën se si u zgjodh kryetari i ri i PDK-së, e që sipas tij ishte gjë e diktuar.

Ai vlerëson se persona të tjerë pyeten për këtë parti dhe si rrjedhojë Hamza nuk mund t’i japë frymë të re asaj.

“Jam i bindur gjithashtu se zgjedhja e tij në mënyrë të përshpejtuar në krye të PDK-së është akt i diktuar edhe nga dy ish-kryetarët e kësaj partie që me të drejtë apo pa të drejtë mbahen në qelitë e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë. Pra kanë dorë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Por Thaçi është kryesori. Për pasojë ai nuk sjell ndryshim. Nuk mund ta këndellë as t’i japë frymë Partisë Demokratike të Kosovës. Është nën tutelën e të fuqishmëve. Asnjë parti me lider “frikacak” e të detyruar të bëjë çfarë I thonë të tjerët, qofshin dhe këta të fortët apo liderët paraardhës, nuk ndryshon. Nuk do të ndryshojë aspak Partia Demokratike e Kosovës.

Vendimi i kësaj partie i artikuluar nga Vlora Çitaku për të mos marrë pjesë në seancën parlamentare për buxhetin e shtetit të vitit 2026 ëshët prova e parë e radikalizimit të PDK-së nën drejtimin e Bedri Hamzës. Kjo tregon se zgjedhja e tij është makiazh. Madje kjo ndodh kur drejtuesit e fshehtë të kësaj partie të kenë vendosur që ta radikalozojnë më shumë partinë e tyre. Zgjedhin një të “moderuar”, me qëllim që të fshehin karakterin “neofashist” të partisë së tyre. Kjo ka ndodhur me këtë parti në konventën e fundit. Dhe ndodhi zgjedhja e liderit të ri pa debat, pa kundërkandidat, pa platforma në diskutim”.

Krahas kësaj, përmendi edhe tentativat e Hoxhajt për të kandiduar për kryetar, mirëpo që një e gjë e tillë dështoi.

“Një përpjekje e ish-kryetarit të komanduar të kësaj partie, pra e Enver Hoxhajt, për të zgjatë afatin e mbajtjes së konventës dështoi. Dështoi, sepse ata që e emëruan Bedri Hamzën kishin vendosur të mos kishte kundërkandidat. Frika se mos fiton dikush “i pabesueshëm” për kastën e vjetër bëri që zgjedhja e kryetarit të ri t’i ngjajë një puçi politik brenda kësaj partie. Kjo karakteristikë e procesit të zgjedhjes nuk jep asnjë shpresë se diçka do të ndryshojë në këtë parti. Nuk premton se PDK do të bëhet më shumë parti e interesit të Kosovës, sesa parti e interesit të të fortëve që e kanë grabit Kosovën me e pa liçencë”, shtjelloi ai.

Në fund, profesori shtoi se, nuk do ketë ndryshim në vendimarrjen e PDK-së, nga një kryetar “moderator” si Hamza, e këtë e sqaroi si më poshtë.

“Vendimmarrja do të mbetet ajo që ishte, madje më e radikalizuar, sërishmi nga një kryetar “moderator”! Veprimet do të radikalizohen gjithashtu duke përdorur sidomos shoqatat që kanë dalë nga lufta e fundit në Kosovë. Nuk pres që të ketë kompromise të arsyeshme në dobi të interesave kombëtare. Por, ka një mundësi, ndonëse e vogë, që grupi i intelektualëve të kësaj partie të bëjë një rezistencë dhe të mobilizohet për të drejtat që u takojnë. Refuzimi i Enver Hoxhajt për të kandiduar është arsye e mjaftueshme që të ndodhi ky rebelim. Nuk e di sa mban aktualisht lidhje me kryeministrin e Shqipërisë zoti Hoxhaj. Por nëse i ka shkëput ose i shkëput këto lidhje ai mund të bëhet aktor dhe faktor stabiliteti, koherence dhe racionalizmi në Partinë Demokratike të Kosovës për të penguar krahun radikal të ish-Lëvizjes Popullore të Zvicrës!” – përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.