Aktuale

Të miturit në protestën e Berishës i gjendet municion për armë sportive, nisin hetimet

Pas protestës së dhunshme të zhvilluar nga PD mbrëmjen e djeshme, kanë nisur hetimet edhe për një 16-vjeçar. Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se të miturit iu gjet me vete municion i dyshuar për armë sportive.

Ndërkohë pas akteve të dhunës dhe molotovëve të hedhur te vila e Enver Hoxhës nga militantët e Berishës gjatë protestës së PD, Policia po kqyr pamjet filmike për të identifikuar personat e tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Njoftimi i Policisë:
DVP Tiranë-Në lidhje me protestën e organizuar mesditën e djeshme, më datë 28.02.2026, në orën 18:00, thirrur nga subjekti politik Partia Demokratike, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale, arrestoi shtetasit:

L. M., 20 vjeç, R. D., 33 vjeç, D. R., 21 vjeç dhe S. R., 36 vjeç, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë protestës, kanë ushtruar akte të dhunshme, kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, si dhe kanë hedhur lëndë piroteknike dhe molotov në drejtim të punonjësve të policisë dhe të Vilës 31, në momentin kur në ambientet e saj ndodheshin persona brenda, shtetas të huaj, duke rrezikuar sigurinë e tyre. Si pasojë janë shkaktuar dëmtime në këtë godinë, si dhe janë dëmtuar 32 kosha mbeturinash të vendosura nga Bashkia Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar objekte dhe sende të hedhura (molotovë dhe lëndë piroteknike), të cilat janë dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike.

Më tej, është proceduar në gjendje të lirë një shtetas i mitur, 16 vjeç, pasi iu gjet me vete municion i dyshuar për armë sportive.

Si dhe u referuan materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shtetasin K. B., deputet, pasi ka shkelur ligjin nr. 9754, datë 14.06.2007 “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë” si dhe për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Gjithashtu, janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e tyre për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme

Të Ngjashme