Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Të paktën 14 të vdekur pas fundosjes së një varke me migrantë në Turqi

Të paktën 14 persona kanë vdekur pasi një varkë prej gome që po bartte migrantë u fundos në brigjet pranë provincën perëndimore të Turqisë, Mugla, thanë zyrtarët.

Autoritetet turke thanë se po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.

Përmes një njoftimi, Zyra e guvernatorit në Mugla tha se një burrë afgan ka shpëtuar nga fundosja e varkës dhe arriti në brigjet turke, duke alarmuar autoritetet pak pas orës 1 të mëngjesit.

Ky shtetas afgan u tha shërbimeve të emergjencës se 18 persona ishin në varkën prej gome, por pak pas nisjes ajo u fundos, u tha në njoftimin e Zyrës së guvernatorit.

Ekipet e kërkim-shpëtimit arritën të gjenin të mbijetuarin e dytë, ndërkaq nxorën nga deti 14 trupa të pajetë.

“Operacionet e kërkim-shpëtimit po zhvillohen me katër anije të rojeve bregdetare dhe në këto operacione është përfshirë edhe një helikopter dhe një ekip i posaçëm i zhytësve të rojeve bregdetare”, u tha në njoftim.

Deti Egje është një rrugë e zakonshme transiti për mijëra migrantë që përpiqen të kalojnë nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme drejt Evropës, veçanërisht nga Turqia, e cila mirëpret miliona refugjatë nga Siria, Iraku dhe Afganistani.

Numri i migrantëve të parregullt të kapur në Turqi arriti rekordin në vitin 2019, me pothuajse 455 mijë persona, kryesisht nga Afganistani dhe Siria, sipas Presidencës për Menaxhimin e Migracionit.

Më shumë se 122 mijë migrantë janë ndaluar në Turqi deri më 16 tetor të këtij viti./Radio Evropa e Lirë