Të premten seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për çmimin e naftës
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të premten (3 prill) në seancë të jashtëzakonshme. Kërkesa është shtruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me përkrahje të deputetëve të partive të tjera opozitare, Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i një rezolute “për rritjen e çmimeve të naftës, mungesës së ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimit të drejtpërdrejtë në koston e jetës, si dhe stabilitetin ekonomik të vendit”.
Seanca do të mbahet prej orës 11:00, njoftoi Kuvendi i Kosovës.
Ndryshe, seanca e sotme plenare e Kuvendit të Kosovës ka sjellë debate të ashpra mes pozitës dhe opozitës, teksa ligjvënësit shqyrtojnë një mori pikash në rendin e ditës dhe çështje të nxehta politike. Seanca nisi me rreth një orë vonesë, pasi deputetët u mblodhën për rreth orës 11:00, ndërsa ishte paraparë të fillonte në 10:00. Në fjalën hapëse, kryekuvendarja Albulena Haxhiu përmendi kujtesën e demonstratave të pranverës së vitit 1981, duke nënvizuar rëndësinë historike të tyre për identitetin dhe aspiratat politike të Kosovës. Rendi i ditës përmbante 16 pika, përfshirë ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare me vlerë milionëshe, të cilat u miratuan nga shumica e ligjvënësve.
