Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Të shtëna me armë në drejtim të një shtëpie në Vushtrri – sekuestrohet motoçikleta, vijojnë hetimet për kapjen e autorit

 
   

Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës rreth orës 22:55 në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Vushtrri, ku një person i panjohur ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një shtëpie, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm për banorët e zonës.

Rasti është raportuar nga ankuesi i cili tha se një person i dyshuar që po lëvizte me një motoçikletë me katër rrota, ka shtënë disa herë me armë në drejtim të shtëpisë së tij dhe më pas është larguar në drejtim të panjohur.

Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale, ndërkohë që në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja dhe plumba të pa shkrepur, të cilat janë konfiskuar nga policia për ekzaminim të mëtejshëm.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë me urgjencë njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës dhe Prokurori i rastit.

Nën udhëheqjen e Prokurorit janë kryer edhe bastisje në dy lokacione të ndryshme, si pjesë e hetimeve intensive.

Si rezultat i veprimeve të shpejta operative, policia ka arritur të lokalizojë dhe sekuestrojë motoçikletën, për të cilën dyshohet se është përdorur nga autori gjatë kryerjes së veprës penale.

Sektori Rajonal i Hetimeve në Vushtrri është angazhuar në mënyrë të intensifikuar dhe po vazhdon hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit, ndërsa rasti është cilësuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.