Lifestyle

Të shtëna me armë në një bar në Teksas, 3 të vdekur dhe 14 të plagosur

Të paktën tre persona humbën jetën dhe 14 të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri në një bar në Austin, në shtetin e Texas.

Ngjarja ndodhi në ambientet e barit Buford’s Backyard Beer Garden, një lokal i njohur në zonën e argëtimit të qytetit. Sipas shefes së Policisë së Austin, Lisa Davis, autoritetet morën njoftim për një person të armatosur që po qëllonte brenda lokalit.

Kur forcat e rendit mbërritën në vendngjarje, u përballën me të dyshuarin e armatosur dhe hapën zjarr ndaj tij, duke e lënë të vdekur. Motivi i sulmit mbetet ende i paqartë.

Shefi i Shërbimeve të Urgjencës në Austin (EMS), Robert Luckritz, bëri të ditur se tre persona u konstatuan të pajetë në vendin e ngjarjes, ndërsa 14 të plagosur u transportuan në spitalet lokale. Tre prej tyre ndodhen në gjendje kritike.

Sipas autoriteteve, telefonata e parë për ndihmë u regjistrua në orën 01:39 të mëngjesit, ndërsa brenda më pak se një minute ekipet e emergjencës dhe oficerët e policisë mbërritën në vend për të ofruar ndihmë.

Kryebashkiaku i Austin, Kirk Watson, vlerësoi reagimin e shpejtë të forcave të sigurisë, duke theksuar se ndërhyrja e menjëhershme ka kontribuar në shpëtimin e jetëve.

/vizionplus.tv

Të Ngjashme