Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Bajram Currit, në Tropojë, rreth orës 23:00, në ambientet e një lokali.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta, ku një 26-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy personave, S. M. dhe S. D., të dy 18 vjeç.
Si pasojë e të shtënave, është plagosur në dorë shtetasi S. M., i cili ka marrë menjëherë ndihmën mjekësore dhe më pas është larguar për në banesë.
Ndërkohë, autori i dyshuar është identifikuar nga policia si A. I., 26 vjeç, banues në Bajram Curri, i cili është shpallur në kërkim.
Policia bën me dije se shërbimet vijojnë kontrollet intensive për kapjen e autorit, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Materialet janë referuar për veprime të mëtejshme procedurale.
