Aktuale

Të shtënat me armë zjarri gjatë operacionit në Shkodër, arrestohen dy persona, njëri i mitur! Në kërkim personi me precedentë që i iku policisë! Zbardhet dinamika e ngjarjes

Të tjera detaje mësohen nga ngjarja e ndodhur të hënën në lagjen “Guerrile” në Shkodër, ku u qëllua me armë zjarri gjatë një operacioni policor për kapjen e një personi të kërkuar dhe me precedentë penalë.

Në pranga janë vënë dy persona, drejtuesi dhe një 17-vjeçar, që ishte pasagjer në automjetin me të cilin lëvizte 40-vjeçari që qëlloi me armë zjarri në ajër për të kanosur punonjësit e policisë.

43-vjeçari që u arrestua, që drejtonte automjetin që tentoi t’i ikte policisë, është identifikuar si Ervis Baba.

Në kërkim është shpallur shtetasi B. B., 40 vjeç, banues në lagjen “Guerrile”, me precedent për armëmbajtje pa leje, prodhim/shitje narkotikësh dhe vjedhje.

Si ndodhi ngjarja?

Policia thotë se dje, gjatë patrullimit në këtë zonë, policia i ka bërë shenjë ndalimi automjetit që nga hetimet rezultoi se e drejtonte 43-vjeçari dhe kishte pasagjerë të miturin dhe shtetasin e shpallur në kërkim.

43-vjeçari Ervis Baba nuk i është bindur urdhrit të policisë, por ka vijuar lëvizjen, duke shtuar shpejtësinë dhe kryer manovra të rrezikshme me automjet. Për këto arsye, efektivët i janë vënë në ndjekje automjetit.

Gjatë ndjekjes, shtetasi B. B. dyshohet se ka zbritur nga automjeti, dhe gjatë largimit, ka qëlluar me armë zjarri (pistoletë), në ajër me qëllim kanosjen e policëve. Arma e zjarrit me municion e përdorur nga i shpallur në kërkim u gjet dhe u sekuestrua bashkë me automjetin tip “Volksëagen Seat” me të cilin lëviznin këta shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi apo mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Të Ngjashme