Shtetet e Bashkuara thanë më 28 shkurt se nisën sulme ushtarake parandaluese kundër Iranit, pasi arritën në përfundimin se Teherani po përgatitej të përdorte arsenalin e tij të raketave kundër forcave amerikane dhe aleatëve, dhe nuk kishte ndërmend të pranonte kufizime domethënëse për programin e tij bërthamor.
Gjatë një bisede informuese me gazetarë, zyrtarë të lartë të administratës argumentuan se informacionet e inteligjencës për një sulm të mundshëm të Iranit si veprim paraprak, të kombinuara me atë që e përshkruan si dështim të negociatave bërthamore, e lanë presidentin amerikan Donald Trump “pa zgjidhje tjetër” përveçse të vepronte.
Sipas tyre, vendimi u udhëhoq nga ajo që e cilësuan si një kërcënim i dyfishtë: ambicia afatgjatë e Iranit për të siguruar armë bërthamore dhe kapacitetet e tij të menjëhershme konvencionale me raketa.
Një zyrtar tha se administrata besonte se arsenali iranian i raketave balistike, veçanërisht në pjesën jugore të vendit, përbënte një “rrezik të papranueshëm” për forcat amerikane në rajon. Veprimi para se këto raketa të lëshoheshin, sipas tij, do të zvogëlonte ndjeshëm viktimat e mundshme krahasuar me pritjen që Irani të godiste i pari
Ai shtoi se inteligjenca amerikane sugjeronte se Irani mund të përdorte raketat e tij në mënyrë parandaluese ose si përgjigje ndaj çdo veprimi kundër tij. Që nga sulmet e 28 shkurtit, zyrtarët thanë se forcat iraniane kanë shënjestruar lokacione civile, përfshirë hotele dhe aeroporte në Kuvajt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe baza amerikane në rajon.
Sipas zyrtarëve, Irani ka refuzuar vazhdimisht të diskutojë kufizime për programin e tij të raketave balistike, një qëndrim që ata e cilësuan të papranueshëm.
