
Telekomi i Kosovës reaguar për një situatë që sipas kësaj ndërmarrjeje publike, po vazhdon të thellohet përmes asaj që e cilëson si praktikë abuzive të përmbarimit, duke i shkaktuar dëme serioze financiare dhe duke cenuar stabilitetin e kompanisë.
Sipas komunikatës zyrtare të Telekomit, deri më datën 15 maj 2025, është bërë tërheqja e 13,507,195.82 eurove nga llogaritë bankare të ndërmarrjes, përkundër faktit që shuma e përcaktuar me urdhrin përmbarimor ka qenë 11,679,120.91 euro. Kjo shumë, sipas Telekomit, tejkalon edhe detyrimin e pretenduar në një vendim arbitrazhi, i cili përcakton shumën e borxhit në 11,666,522.62 euro.
Telekomi thekson se kjo përmbarim është realizuar në mungesë të ndonjë dokumenti tjetër që do të justifikonte tejkalimin e shumës dhe se, përveç kësaj, nuk është bërë zhbllokimi i xhirollogarive bankare të ndërmarrjes edhe pas arritjes së shumës së urdhëruar.
Në komunikatë thuhet se ky veprim “arbitrar dhe joligjor” po shkakton dëme të pariparueshme për Telekomin dhe se, për këtë arsye, kompania do të ndërmarrë masa ligjore, përfshirë kallëzim penal, padi civile dhe nisje të procedurave disiplinore ndaj personave përgjegjës, siç ceket në dokument.
Po ashtu, Telekomi bën të ditur se e ka kërkuar me shkrim ndalimin e menjëhershëm të kësaj praktike dhe lirimin e xhirollogarive të bllokuara, duke paralajmëruar se në rast të mosreflektimit, do ta konsiderojë këtë si shkelje të ligjit dhe do të veprojë në përputhje me të gjitha mekanizmat ligjorë në dispozicion.
Telekomi vlerëson se kjo situatë është vazhdimësi e një dëmi që rrjedh nga një marrëveshje e vitit 2009, e cila kishte skaduar në vitin 2019, dhe që, sipas tyre, përfaqëson një nga kontratat më të dëmshme në historinë e Republikës së Kosovës. Përkundër thirrjeve të vazhdueshme për hetim dhe paraqitjes së kallëzimeve penale, Telekomi thotë se nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga institucionet përkatëse për të hetuar dëmet e shkaktuara ndaj këtij aseti publik.
“Ne presim reflektim urgjent nga organet përgjegjëse, që të ndalojnë çdo dëmtim të mëtejshëm të Telekomit të Kosovës, e ftojmë përmbaruesin privat te përmbahet nga shkelja e ligjit dhe dëmtimi i ndërmarrjes sonë publike dhe nga këtu serish shprehim gatishmëri te pa rezervë për bashkëpunim me të gjitha organet e rendit dhe të prokurorisë, në drejtim të hetimit dhe zbardhjes së kësaj kontrate të dëmshme”, përfundon komunikata.