Televizioni shtetëror iranian ka njoftuar se lideri suprem Ali Khamenei është vrarë pas bombardimeve amerikano-izraelite.
Transmetuesi nuk dha detaje rreth rrethanave të vdekjes së tij.
Mediat shtetërore raportuan gjithashtu se në Iran janë shpallur 40 ditë zie publike.
Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare tha se Khamenei u vra në zyrën e tij herët të shtunën dhe se vdekja e tij do të shënojë fillimin e një “kryengritjeje të madhe kundër tiranëve të botës”, transmeton Anadolu.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) tha se do ta “hakmerret me vendosmëri” për vrasjen e Khameneit, duke theksuar se “dora e hakmarrjes së popullit iranian nuk do t’i lëshojë vrasësit e Imamit”.
IRGC deklaroi se martirizimi në rrugën e Islamit dhe “Iranit të Madh” përfaqëson fitore dhe afrim drejt qëllimit përfundimtar, duke shtuar se rruga e Khameneit “nuk do të ndalet pas martirizimit të tij, por do të vazhdojë me forcë dhe madhështi”.
Në deklaratë u bë thirrje të gjitha shtresave të shoqërisë që të marrin pjesë në tubime për mbrojtjen kombëtare për të treguar unitet dhe kohezion përballë “armiqve të kombit dhe terroristëve”, duke shtuar se vrasja do ta bëjë kombin më të vendosur për të vazhduar atë që e përshkroi si rrugën ndriçuese të Khameneit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi në një postim në platformën e tij të mediave sociale Truth Social se Khamenei është i “vdekur”.
“Khamenei, një nga njerëzit më të këqij në histori, është i vdekur”, shkroi Trump.
