Gjykata e Posaçme ka shtyrë sërish seancën paraprake për Benet Becin. Kjo pasi për herë të tretë Beci nuk u paraqit në gjyq, teksa i ka dhënë prokurë të posaçme avokatit të tij Ervin Metallës, i cili kishte njoftuar se ndodhet në një proces tjetër.
Benet Beci dhe 6 të pandehurit e tjerë akuzohen nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera kryer në bashkëpunim. bSenca u shty për të martën
Hetimi lidhet me një procedurë të zhvilluar në kohën kur Beci drejtonte KESH-in, në fund të vitit 2019 për një kontratë studimore me vlerë rreth 800 mijë euro me TVSH, e cila kishte të bëjë me përgatitjen e një “strategjie të zhvillimit të sektorit energjetik”.
Sipas SPAK, dokumentacioni dhe mënyra e hartimit të tenderit krijuan kushtet që gara të mos ishte reale dhe fituesi të ishte paracaktuar. Në fund, kontrata u fitua nga Consulting & Management Albania, kompania e vetme që mori pjesë, me një ofertë thuajse identike me fondin limit.
Prokuroria pretendon se Beci dhe strukturat përkatëse të prokurimit kanë manipuluar disa faza të procesit, duke përllogaritur paraprakisht fondin, duke kufizuar kriteret e konkurimit dhe duke ndikuar në vlerësimin e ofertës, me qëllim që kompania e caktuar të merrte kontratën pa garë.
Rrjedha e ngjarjeve u zbulua gjatë hetimeve për ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi. Gjatë kontrolleve, hetuesit sekuestruan telefonin e bashkëshortes së tij, Adela Ruko, e cila kryesonte komisionin e vlerësimit në tenderin e KESH-it.
