Deputeti Erion Braçe, prej disa ditësh ka konfirmuar se kërkon të kandidojë në zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Tiranës. Për këtë ai ka nisur edhe një numër takimesh në Asambletë e PS në kryeqytet, ku njëkohësisht edhe kryeministri Edi Rama ka nisur një tur.
Por gjatë këtij turi ka ndodhur edhe një incident para tre ditësh në mbledhjen e Asamblesë së PS në njësinë nr. 7 në Tiranë.
Vox News mëson se ndërsa mbledhja ishte njoftuar se do të niste në orën 18.00 të pasdites, kryesocialisti Edi Rama ka ardhur më herët për shkak të axhendës dhe në këtë mënyrë mbledhja nisi me të pranishmit që ishin aty.
Sakaq, Braçe që ishte njoftuar për zhvillimin e mbledhjes në orën 18.00 dhe kur arriti nuk u lejua nga Garda të hynte në takim me arsyetimin që ajo kishte nisur.
Ky është rasti i dytë, ku Garda ndërhyn ndaj atyre që po cilësohen si “rebelë të PS.
Pasi edhe ditën e djeshme ndodhi një incident i ngjashëm në seancën parlamentare.
Ndërsa deputetja Elisa Spiropali donte t’i shmangej vëmendjes së mediave të cilat e prisnin te dera kryesore e Kuvendit. Por në tentativë për të hyra nga dera e pasme, Garda e ka bllokuar.
Ndërkohë, Braçe ka komentuar daljen e kryeministrit Edi Rama, në krahun e të cilit është shfaqur në dy takimet e fundit në njësitë 4 dhe 14, Ogerta Manastirliu.
Braçe tha mbrëmë në “Top Story” se edhe ai do të ishte në këto dy mbledhje, por ishte i angazhuar diku tjetër. Po ashtu, deputeti socialist, i cili ka shpallur publikisht kandidaturën për Bashkinë e Tiranës, i pyetur nëse Rama ka reaguar, tha se deri më tani kryeministri nuk e ka kontaktuar.
“Jo, kjo është një mbledhje normale. Unë në këtë njësi nuk kam qenë, sepse e kisha të pamundur të shkoja në Kashar, pasi isha në një mbledhje tjetër. Isha në Asamble, ku ishte zonja Manastirliu, dhe në orën 7 ishte mbledhja në Kashar, ndaj e kisha të pamundur të isha. Por isha në Asamble dhe unë zakonisht ulem në fund të sallës për të parë sesi është perceptimi i njerëzve dhe si e përjetojnë ata. Rama nuk ka bërë asnjë reagim, përveç diçkaje që është për mua… Unë nuk kam dalë me një njoftim: “Kërkohet Erion Braçe si kandidat për Tiranën”, por kam kërkuar një proces statutor brenda partisë, ndryshe nga ai i shtatorit të vitit të kaluar, që ishte vetëm një njoftim.. Unë nuk përfaqësoj një kandidat me një njoftim. Unë dua një kandidat, edhe ndryshe nga unë, që krijon një kohezion me njerëzit”, deklaroi Braçe.
