Tensione dhe përplasje u shënuan këtë të shtunë gjatë protestës së opozitës përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Si pasojë e sulmeve me molotov dhe sende të forta, 11 punonjës të Policisë së Shtetit kanë mbetur të dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore.
Sipas burimeve zyrtare, protestuesit kanë hedhur mjete shpërthyese artizanale dhe objekte të forta në drejtim të forcave të rendit, duke shkaktuar lëndime dhe dëme materiale në perimetrin e sigurisë.
Ndërkohë, grupet hetimore kanë nisur dokumentimin ligjor të akteve të dhunës së ushtruar ndaj punonjësve të Policisë. Shërbimet policore bëjnë me dije se janë identifikuar personat e përfshirë në sulme dhe vijon puna për shoqërimin e tyre në ambientet e Policisë, shkruan Euronews.al.
Situata u vu nën kontroll pas ndërhyrjes së forcave të rendit, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se çdo akt dhune do të përballet me pasojat ligjore.
