Lajme

Tentativa për vjedhje llogarish në WhatsApp, Policia apel qytetarëve: Mos klikoni në linke të dyshimta

Përmes një njoftimi në rrjete sociale, Policia e Shtetit ka informuar qytetarët se janë konstatuar raste të qarkullimit të mesazheve dhe linkeve mashtruese, të cilat synojnë marrjen e kontrollit të llogarive të WhatsApp.

Sipas njoftimit të Policisë, individët që synojnë mashtrimin, dërgojnë linke për të votuar një konkurs ose për të konfirmuar një veprim, më pas, i kërkojnë përdoruesit të vendosë kodin 6-shifror të verifikimit të WhatsApp. Ky kod përdoret nga autorët për të regjistruar llogarinë në një pajisje tjetër dhe për të marrë kontrollin e saj.

Njoftimi i plotë i policisë:

Policia e Shtetit apelon për kujdes ndaj tentativave për marrjen e aksesit në llogaritë WhatsApp.

Policia e Shtetit informon qytetarët se janë konstatuar raste të qarkullimit të mesazheve dhe lidhjeve (linkeve) mashtruese, të cilat synojnë marrjen e kontrollit të llogarive WhatsApp.

Mashtruesit dërgojnë linke me pretendime të ndryshme, si p.sh. për të votuar në një konkurs ose për të konfirmuar një veprim. Më pas, i kërkohet përdoruesit të vendosë kodin 6-shifror të verifikimit të WhatsApp. Ky kod përdoret nga autorët për të regjistruar llogarinë në një pajisje tjetër dhe për të marrë kontrollin e saj

Policia e Shtetit këshillon qytetarët:

Mos klikoni në linke të dyshimta, edhe nëse dërgohen nga persona të njohur;

Mos ndani kurrë kodin e verifikimit të WhatsApp me askënd;

Aktivizoni funksionin Two-Step Verification (Verifikimi me dy hapa) në aplikacionin WhatsApp;

Nëse dyshoni se llogaria juaj është komprometuar, veproni menjëherë për ta rikuperuar atë dhe njoftoni personat e kontakteve tuaja.

Mbroni të dhënat tuaja! Kujdesi juaj është mbrojtja më e mirë ndaj mashtrimeve kibernetike

Të Ngjashme