Një 50-vjeçar, është arrestuar nga policia e Komisariatit nr. 4 në Tiranë, pasi dyshohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri një 30-vjeçar pas një konflikti për motive të dobëta. Sipas informacionit paraprak, ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të një lokali në rrugën “Myslym Keta”. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar momentin kur 50-vjeçari hyn në lokal dhe i afrohet tavolinës ku ndodhej i riu. Bëhet me dije se konflikit ka ndodhur për një borxh prej 100 eurosh. Fillimisht janë konfliktuar me fjalë banale dhe më pas 38-vjeçari e qëllon me shpullë Vishën.

Më pas, ky i fundit ka nxjerrë armën e zjarrit duke e kërcënuar. Ai rezulton një person me precedent të mëparshëm kriminal. Të dy jetonin në të njëjtën zonë, ndërsa 38-vjeçari ka pohuar në polici që ia kishte borxhin por nuk donte t’ia jepte. Pas incidentit, 50-vjeçari ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por është kapur dhe arrestuar menjëherë nga forcat e policisë. Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e ngjarjes. “Finalizohet operacioni i koduar “Responde”.
Tentoi të vriste me armë zjarri, një 38-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kapet menjëherë pas ngjarjes dhe arrestohet 50-vjeçari. Sekuestrohet arma e zjarrit (pistoletë me mulli) me municion. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas njoftimit se në rrugën “Myslym Keta”, po konflikteshin dy shtetas, njëri prej të cilëve mbante armë zjarri, kanë organizuar punën për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Respond”, u arrestua shtetasi A. V., 50 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se pasditen e djeshme, në ambientet e jashtme të një lokali, në rrugën “Myslym Keta”, është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin I. D., 38 vjeç, dhe ka tentuar ta vrasë atë, me armë zjarri pistoletë me mulli, që e mbante pa leje. Shtetasi A. V. ka tentuar të largohet, por është kapur dhe vënë në pranga nga shërbimet e Policisë, menjëherë pas ngjarjes. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme”, njoftoi policia.
