“The Sphere” ka botuar, me 13 prill 1929, në faqen n°63, rrëfimin e historianit gjerman Franz H. Babinger rreth vizitës së tij askohe tek komuniteti bektashi në Krujë, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Me dervishët e Krujës
Nga Fr. H. Babinger
Vizita në një komunitet të jashtëzakonshëm lindor në Shqipëri, i cili një herë në javë kryen një rit të pazakontë, të huaj për hapësirën evropiane. Në thelb, ky komunitet përfaqëson një pararojë të islamit të ardhur nga Azia në Evropë.
Duke iu afruar Tiranës, kryeqytetit shqiptar, nga veriu ose nga perëndimi, nga kodrat që ngrihen gradualisht drejt qytetit vërehet një fortifikatë e çuditshme shkëmbore mbi shpatet e maleve të Krujës, nga të cilat këto male kanë marrë emrin. Kjo është kështjella e Skënderbeut, e përmendur gjerësisht në këngë – Akçehisar, apo “Kështjella e Bardhë” e osmanëve. Që nga Mesjeta e hershme ajo ka qenë skenë e një historie të shumëllojshme dhe vetëm kohët e fundit ka humbur rëndësinë e saj strategjike.

Burimi : The Sphere, 13 prill 1929, faqe n°63.
Në udhëtimin tim përmes Shqipërisë, nga Cetinja deri në Janinë të Greqisë, ishte e domosdoshme të qëndroja përkohësisht në Tiranë për të përmbushur formalitete të ndryshme administrative. Nga kryeqyteti, rruga për në Krujë mund të përshkohet brenda një dite, pasi distanca është vetëm rreth tridhjetë e pesë kilometra. Rruga, e cila për një pjesë ndjek boshtin kryesor që çon drejt Durrësit, megjithëse e dëmtuar lokalisht nga kamionët italianë, është e kalueshme gjatë stinës së thatë. Në pikën ku rruga për në Lezhë dhe Shkodër ndahet drejt veriut, ende shihen gjurmët e një hekurudhe të ngushtë të ndërtuar nga trupat austriake gjatë Luftës së Parë Botërore; ajo ruhet në gjendje të mirë. Vagonë të përmbysur dhe mjete të ndryshme metalike të shpërndara përreth krijojnë përshtypjen se vetëm pak javë – dhe jo vite – kanë kaluar që nga ndërprerja e funksionimit të saj.
U nisëm herët nga Tirana dhe, duke zbritur me nxitim rrugën e gjerë që përshkon drejt nga pazari përmes qytetit, u larguam shpejt nga patrulla policore kureshtare e vendosur në dalje. Minaret e xhamive të Tiranës u zhdukën shpejt nga pamja; pak nga pak edhe barakat prej druri u bënë gjithnjë e më të rralla, derisa u zhdukën krejt. Pak më pas hasëm disa punëtorë gjermanë të zënë me punë në hekurudhën fushore. Përveç tyre nuk kishte qarkullim – herë pas here vetëm ndonjë bari i armatosur, në këmbë ose mbi kalë, ose ndonjë tufë dele që shpërndahej më dy anët e rrugës nga boritë e makinës, duke i dhënë bariut një ushtrim të vogël për t’i mbledhur sërish. Nën rrezet e forta të diellit, fermat e veçuara dhe xhamitë e vetmuara në majat e kodrave dalloheshin qartë.

MINAREJA E KRUJËS – Pamje e vendbanimit mysliman në Shqipëri, të vendosur në një peizazh malor. — Burimi : The Sphere, 13 prill 1929, faqe n°63.
Në horizontin verilindor u shfaqën shtëpitë e bardha të Krujës. Në të majtë vumë re një han të pajisur me farkëtari. Disa automjete ishin të ndaluara përpara ndërtesës së thjeshtë, në pikën ku rruga devijon djathtas drejt masivit malor të Krujës. Isha vetëm pak më shumë se njëzet e pesë kilometra larg destinacionit. Në krahun e djathtë, pak larg rrugës kryesore dhe i fshehur mes pemëve, shtrihej manastiri i njohur bektashi i Fushë-Krujës, i rrethuar nga kullota të gjera.
Kompleksi i ndërtesave të suvatuara me gëlqere, të rrethuara nga një mur i lartë, krijon më shumë përshtypjen e një shtëpie madhore fshati sesa të një institucioni monastik. Hyrja çonte në një oborr ku endetnin kafshë të ndryshme, përballë një ndërtese njëkatëshe me verandë të hapur. Nuk dukej asnjë njeri. Dalluam vetëm, të pikturuara me ngjyrë të gjelbër në mur, emrin e Aliut – dhëndrit të Profetit dhe figura qendrore e kultit bektashi – si dhe simbole të pemës së jetës.
Shërbëtori ynë ndërkohë kishte lajmëruar dervishët, të cilët ndodheshin pas një muri të dytë duke punuar në një ndërtesë të re. Godina kryesore e teqesë, e cila, siç mësuam, ishte përfshirë nga një zjarr, po rindërtohej dhe ishte drejt përfundimit. U shfaq një dervish me kapelën karakteristike cilindrike, të bardhë, me dymbëdhjetë faqe – një shenjë dalluese e bektashinjve – ndërsa veshja tjetër ishte krejt e zakonshme. Ai na njoftoi se shehu do të paraqitej së shpejti. Ne u ngjitëm në verandën prej druri dhe u ulëm.
Me mikpritjen e zakonshme na u ofruan kafe dhe duhan. Biseda u zhvillua në gjuhën turke, e cila, krahas shqipes, përdoret mjaft gjerësisht në komunikime në të gjithë vendin.
Pas pak minutash mbërriti edhe Abati (Baba), i veshur me petkun tradicional të bardhë dhe kapelën me mbështjellës të gjelbër. Ishte figurë imponuese, me mjekër të gjatë, dhe në veshin e majtë mbante një unazë prej argjendi të punuar në formë arabeske, si shenjë e gradës së tij. Rreth qafës i varej një varëse me karneol të kuq – taslim-tashi – simbol që shënon përfundimin e periudhës së sprovës, pra të noviciatit. Në disa prej këtyre varëseve pashë edhe gurë gjysmë të tejdukshëm gri, të quajtur durr-i-Najaf, – “perlat e Nexhefit”, sipas qytetit të shenjtë shiit në Mesopotami.
Udhëheqësi i teqesë na mirëpriti me përzemërsi dhe menjëherë nisëm bisedën. U kuptua qartë se Baba Mehmet ishte njeri me gjykim të pavarur dhe njohuri të konsiderueshme. Kur fillova të flisja për rregullat e urdhrit bektashi dhe themeluesin e tij, Haxhi Bektash Veliun e Horasanit, ai mori pjesë me interes dhe pa fanatizëm. Kur më në fund përmendëm shenjtorin më të madh të Krujës, Sari Salltëk Dedenë – legjendën e të cilit e kisha studiuar me kujdes – ai u bë shumë i shpenguar dhe nuk gjente fjalë të mjaftueshme lëvdate për të.
Prej kohësh e kisha vënë në dyshim teorinë e përhapur se ky urdhër ishte vendosur në Shqipëri vetëm rreth 150 vjet më parë. Megjithëse Baba Mehmet shkonte ndoshta tepër larg duke e vendosur praninë bektashiane para pushtimit osman në shekullin XV, të dhënat që mblodha më vonë, sidomos në teqetë e Shqipërisë së Jugut, dëshmojnë në mënyrë të qëndrueshme se urdhri bektashi ishte i pranishëm në Shqipëri, të paktën që nga mesi i shekullit XVI. Kjo mbështetet edhe nga numri i shenjtorëve shqiptarë të bektashinjve që i përkasin asaj periudhe.
Pas një sesioni tjetër mikpritjeje, Baba Mehmet na ftoi të vizitonim vendet e shenjta të teqesë. Kaluan oborrin e mesëm, me stallat dhe ndërtesat e reja, dhe përmes një porte të vogël dolëm në një livadh të gjerë ku ndodhej një pishë monumentale, e rrethuar me gardh druri. Rreth e rrotull qëndronin tyrbet e shenjtorëve të teqesë, e cila sipas traditës e ka origjinën tek Baba Ali, i cili vdiq më 1562 (970 H).
Përkrah tyrbes së Baba Aliut, tyrbja e Jelaleddin Ibrahim Shemimit, i cili vdiq si sheh i teqesë në vitin 1807 (1222 H), gëzon nderim të veçantë. Ai nderohet si shenjtor dhe si poet; në Krujë pata rastin të shihja për pak çaste një përmbledhje të veprës së tij. Një besimtar bektashi i ruante me kujdes dorëshkrimet dhe në disa përmbledhje këngësh bektashiane gjeta këngë të tij.
Shenjti i tretë i rëndësishëm është Baba Haxhi Hysen, i cili vdiq në vitin 1890. Ndërkohë, edhe udhëheqësi aktual i teqesë gëzon reputacion të konsiderueshëm, megjithëse e ushtron këtë funksion prej vetëm shtatë vitesh. Ai e ka origjinën nga Gjirokastra, ku bektashinjtë kanë disa qendra të tjera, të cilat i vizitova më vonë.
Pasi koha kishte avancuar dhe kishim planifikuar të vizitonim edhe qytetin e Krujës, u përshëndetëm me Baba Mehmetin dhe katër dervishët e tij. Pas disa fotografive të dervishëve dhe objekteve të ndryshme të teqesë, filluam ngjitjen drejt qytetit në shoqërinë e mësuesit të zonës, i cili u ofrua të na udhëhiqte. Rruga fillimisht ishte e drejtë, më pas ngjitej me kthesa të shpeshta, përmes ullishtave të lashta. Së shpejti pllaja e gjerë u shtri poshtë nesh dhe pamja mbi territorin shqiptar u hap e plotë. Në horizont dallohej deti Adriatik.
Megjithatë, vëmendjen më të madhe e tërhiqte vetë qyteti i Krujës, me një bukuri pothuajse të pamundur për t’u përshkruar. Nga një pyll i dendur ullishtash dhe selvish të errëta ngriheshin kupolat e tyrbeve bektashiane, ndërsa shtëpitë e shpërndara në mënyrë pitoreske ngjiteshin drejt kështjellës me muret e saj të larta. Nga rrënojat dilte në pah vetëm një kullë sahati – i vetmi element arkitektonik që i ka rezistuar kohës. Pas qytetit ngriheshin shkëmbinjtë e thiktë të Malit të Krujës, ku në majë ndodhet vendi më i shenjtë i zonës: varri i Sari Salltëk Dedes. Aty arrihet vetëm në këmbë ose me mushka, përmes shtigjeve me gurë të mëdhenj.
Numri i vogël i xhamive në qytet është i dukshëm; dallova vetëm dy, dhe prej tyre vetëm një ishte në përdorim të përditshëm: xhamia e Murat Beut, e themeluar sipas mbishkrimit të saj në vitin 1533 (940 H) dhe e restauruar në 1827 (1253 H). Xhamia tjetër, e ndërtuar nga Sulltan Mehmeti II me dritare me xham shumëngjyrësh, ishte thuajse e rrënuar plotësisht.
Mungesa e xhamive lidhet me faktin se rreth tre të katërtat e popullsisë së Krujës (rreth 5.000 banorë) i përkasin komunitetit bektashi, ndërsa pjesa tjetër është sunite. Duke qenë se bektashinjtë nuk ndërtojnë xhami për funksionet e tyre fetare, nevoja për më shumë xhami ka qenë minimale. Përkundrazi, numri i madh i tyrbeve, kupolat e të cilave shfaqen kudo mes selvisë, është shumë mbresëlënës.
Tyrbja e Bali Sulltanit është veçanërisht e rëndësishme, pasi aty bëhen betime solemne. Baba Haxhi Hamzaj konsiderohet ndër shenjtorët e hershëm të bektashinjve; thuhet se ai ka vdekur në vitin 1533 (940 H), rreth së njëjtës kohë me Baba Aliun. Në atë periudhë Kruja kishte shumë kohë nën sundim osman. Monumenti kryesor i qytetit – kështjella që dominon gjithë zonën – u rrethua tri herë pa sukses nga sulltanët osmanë Murati II dhe Mehmeti II.
Gjatë asaj epoke Kruja ishte e njohur në të gjithë Perëndimin për mbrojtjen heroike të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut – i cili kundërshtoi me vendosmëri ushtritë osmane. Dhjetë vjet pas vdekjes së tij, në verën e vitit 1478, garnizoni venedikas u detyrua ta dorëzonte qytetin pas një qëndrese të gjatë. Sulltani e pranoi dorëzimin personalisht. Qysh prej asaj kohe Kruja mbeti një qendër strategjike e rëndësishme në skajin perëndimor të Perandorisë Osmane. Pas dorëzimit, të krishterët lejoheshin të hynin në qytet vetëm ditën dhe vetëm nën shoqërimin e udhëzuesve myslimanë; hyrja e tyre natën ndalohej me dënim me vdekje.
Kështjella, dikur imponuese, sot paraqet një pamje të degraduar: muret dhe kullat, megjithëse të qëndrueshme pavarësisht shkatërrimeve të vitit 1832, rrethohen nga gurë të shpërndarë në hapësirën e brendshme. Në disa zona dallohet ende qartë muri më i vjetër rrethues, që me shumë mundësi i përket një periudhe shumë të lashtë.
