Lajme

Thellohet bashkëpunimi i KPK-së me partnerët globalë, UNDP konfirmon mbështetjen

Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z. Arian Gashi, së bashku me anëtarët e tjerë të KPK-së, znj. Elza Bajrami Kastrati, z. Milot Krasniqi dhe z. Visar Krasniqi, pritën sot në takim Shefin e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, z. Nuno Queirós, si dhe Menaxheren e Portofolit për Qeverisje dhe Ndërtim të Paqes, njëherësh Zëvendëskoordinatore e këtij programi, znj. Marta K. Gazideda.

Me këtë rast, Kryesuesi i KPK-së, z. Gashi, vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme e UNDP-së për sistemin prokurorial në Kosovë për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Duke shprehur mirënjohje të veçantë për këtë mbështetje substanciale, ai theksoi se kjo ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e burimeve njerëzore, avancimin e praktikave hetimore dhe përmirësimin e mekanizmave të menaxhimit institucional. “Mbështetja e UNDP-së për sistemin prokurorial në Kosovë ka qenë gjithëpërfshirëse dhe me ndikim të qëndrueshëm. Përmes trajnimeve profesionale, projekteve si SAEK dhe zhvillimit të infrastrukturës digjitale, është arritur një përmirësim i dukshëm në kapacitetet dhe performancën e prokurorive. Këto përpjekje jo vetëm që kanë ndihmuar në luftimin e korrupsionit, por edhe në forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, potencoi z. Gashi.

Nga ana e tij, z. Nuno Queirós konfirmoi gatishmërinë e UNDP-së për të vazhduar më tej mbështetjen dhe përkrahjen ndaj KPK-së dhe sistemit prokurorial përmes programeve konkrete që synojnë forcimin e institucioneve të drejtësisë, në përputhje me parimet e qeverisjes së mirë dhe standardet ndërkombëtare. Po ashtu edhe znj. Gazideda shprehu përkushtimin e saj për të diskutuar dhe çuar përpara prioritetet thelbësore të bashkëpunimit të dyanshëm.

Në kuadër të mbështetjes së aktiviteteve institucionale përmes projekteve të UNDP-së, anëtarët e KPK-së, znj. Elza Bajrami-Kastrati, z. Visar Krasniqi dhe z. Milot Krasniqi, diskutuan për mundësitë e reja të bashkëpunimit, duke dhënë propozime për UNDP-në lidhur me trajnimet e veçanta për prokurorët për hetimin e krimet të organizuar dhe korrupsionit, digjitalizimin e arkivave dhe regjistrave të prokurorive për të lehtësuar mbledhjen e të dhënave statistikore, zhvillimin e infrastrukturës digjitale të sistemit prokurorial, përfshirë dizajnimin dhe zhvillimin e uebportalit të sistemit prokurorial, për të përmirësuar komunikimin me publikun dhe për të rritur transparencën përmes ofrimit të informatave të qasshme dhe të qarta për qytetarët, si dhe për përmirësimin e qasjes në reformën e drejtësisë dhe sundimin e ligjit.

Në përfundim, të dyja palët riafirmuan përkushtimin e tyre të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit strategjik në fushat prioritare, duke nënvizuar se partneriteti i KPK-së me UNDP-në mbetet një element kyç në avancimin e reformave institucionale dhe konsolidimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Të Ngjashme