Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Majac të Podujevës të dielën pasdite, ku tashmë numri i viktimave ka shkuar në tre, duke përfshirë këtu edhe të dyshuarën.
E gjithë kjo ngjarje tragjike dyshohet të ketë nisur nga një mosmarrëveshje mes të dyshuarës dhe viktimës së parë ku quan pastaj me përdorimin e armës së zjarrit.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka bërë të ditur para mediave se dy persona kanë ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa më pas ka vdekur edhe e dyshuara kryesore e rastit.
“Lidhur me këtë ngjarje tragjike, këtu dyshohet për shkak të një mosmarrëveshje ndërmjet tyre, ku situata ka eskaluar dhe më pas është përdorur një armë zjarri, ku ka shtënë në drejtim të dy personave, dhe për fat të keq për shkak plagëve të marrura, kanë ndërruar jetë. Dhe po ashtu edhe e dyshuara kryesore e këtij akti ka ndërruar jetë, të cilën e ka konstatuar Qendra Klinike Universitare e Kosovës”, tha ajo.
Sipas saj, menjëherë pas pranimit të informatave, policia dhe njësitet përkatëse, së bashku me prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet.
“Pas pranimit të informatave, policia dhe njësitet e tjera relevante, në krye me prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e para hetimore lidhur me këtë rast. Më pas është sekuestruar një armë zjarri, disa gëzhoja dhe disa prova të tjera relevante, të cilat do të ndikojnë në sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”, deklaroi Shala.
Ajo shtoi se rasti ndodhet ende në fazën preliminare të hetimeve dhe se autoritetet janë duke punuar intensivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Duke qenë se rasti është në fazën preliminare të hetimeve, më duhet të jem e rezervuar në dhënien e informacioneve shtesë, mirëpo ne si Prokurori Themelore në Prishtinë mbetemi të përkushtuar në zhvillimin e hetimeve në mënyrë intensive që sa më parë të kuptohen rrethanat e këtij rasti”, përfundoi ajo.
