Aktuale

Tragjike/ Gruaja gjendet e vdekur në banesën e saj

Një tjetër rast i dhimbshëm i vetmisë dhe braktisjes së të moshuarve është shënuar në Korçë.

Një 71-vjeçare, Zana Qendro, është gjetur e pajetë në banesën e saj në zonën e njohur si “Dritat e verdha”.

Kanë qenë anëtarë të Shoqata e Jetimëve Dega Korçë, pjesë e së cilës ishte edhe e ndjera, ata që janë interesuar për të dhe më pas kanë konstatuar vdekjen e saj në apartament.

Pas njoftimit, policia ka kryer verifikimet përkatëse, duke e cilësuar ngjarjen si vdekje natyrale.

Megjithatë, ajo që e bën edhe më të rëndë këtë rast është fakti se pas procedurave fillestare nuk ka pasur reagim nga institucionet përkatëse për trajtimin e mëtejshëm të trupit të së moshuarës.

Nga Shoqata e Jetimëve Dega Korçë është bërë apel që 71-vjeçarja të mos mbetet e harruar, por të përcillet me dinjitet, sado modest, në banesën e fundit.

Një thirrje që rikthen në vëmendje dramën e heshtur të shumë të moshuarve që jetojnë dhe largohen nga kjo botë në vetmi.

Të Ngjashme