Dy ortekë në Alpet Franceze lanë të vdekur tre njerëz dhe katër të tjerë pësuan lëndime, thanë të martën autoritetet lokale dhe mediat franceze.
Rreth mesditës, një rrëshqitje e madhe e borës, rreth 300 metra e gjerë, përfshiu një rrugë dhe një shteg këmbësorësh në qytezën Valloire, në juglindje të Francës, tha në një deklaratë prefektura Savoie, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ekipet e shpëtimit, përfshirë policët malorë, zjarrfikësit e njësitet me qen e specialistët ushtarakë, u dislokuan për më shumë se katër orë para se operacionet të ndërpriteshin pasditen e vonë për shkak të rrezikut për ortekë të rinj, thuhet në deklaratë.
Dy prej personave të lënduar ishin në gjendje serioze dhe u evakuuan me helikopter për t’u dërguar në spitalet afër zonës, thuhet më tej.
Duke e cituar prokurorin në qytezën Gap, televizioni francez BFMTV raportoi se dy skitarë kishin vdekur më herët nga një ortek në La Grave, në rajonin fqinj, Hautes-Alpes.
Shërbimi për parashikimin e motit, Meteo France, tha se Savoi mbetej nën paralajmërimin ngjyrë portokalli për rrezik nga ortekët të martën, por paralajmëroi përmirësim të gjendjes për ditët në vijim.
Franca po ballafaqohet me reshje të dendura bore në Alpe dhe me vërshime në disa rajone perëndimore pas shiut që ra për disa ditë rresht.
Të premten e kaluar, tre skitarë vdiqën nga një ortek në resortin alpin Val d’Isere.
