Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se në Qendrën Nacionale të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim ka përfunduar me sukses Trajnimin Bazik të Kërkim-Shpëtimit Malor.
Gjatë këtij trajnimi, siç thuhet në Facebook, pjesëmarrësit kanë përfituar njohuri dhe aftësi të specializuara për operacione në terrene malore.
Programi, sipas FSK-së, ka përfshirë orientimin në terren, teknikat bazike të alpinizmit, përdorimin e pajisjeve teknike, menaxhimin e situatave emergjente, operacionet e kërkim-shpëtimit në kushte të vështira, si dhe ofrimin e ndihmës së parë në ambiente malore.
“Trajnimi u zhvillua në përputhje me standardet profesionale dhe synon rritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së për reagim efikas në operacione kërkim-shpëtimi dhe emergjenca në mjedise malore në Mbështetje Ushtarake Autoriteteve Civile”, shkruan FSK.
