Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Tre tifozë vdiqën gjatë festimeve të Ligës së Kampionëve në Francë

Dy tifozë kanë humbur jetën dhe një oficer policie është në koma pas festimeve mbarëkombëtare që shpërthyen në Francë për fitoren historike të Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve, njoftuan autoritetet të dielën.

Një 17-vjeçar u godit me thikë për vdekje gjatë një feste rrugore në qytetin Dax, ndërsa një tjetër tifoz humbi jetën në Paris, kur skuteri i tij u përplas nga një makinë gjatë festimeve. Autoritetet janë duke hetuar rrethanat e të dy incidenteve.

Në një tjetër ngjarje dramatike, një oficer policie në Coutances, në Francën veriperëndimore, u godit aksidentalisht nga fishekzjarrët dhe u vendos në koma artificiale për shkak të dëmtimeve të rënda në sy, njoftoi policia kombëtare, ka raportuar AP.

Megjithëse shumica e festimeve ishin paqësore, disa prej tyre degjeneruan në dhunë dhe kaos.

Deri në orën 2 të mëngjesit të së dielës, policia kishte kryer 294 arrestime, përfshirë 30 persona që kishin hyrë me forcë në një dyqan këpucësh në bulevardin Champs-Élysées. Dy makina gjithashtu u dogjën pranë stadiumit Parc des Princes.

Përballë rrezikut të trazirave, forcat e rendit kishin dislokuar 5,400 efektivë policie në zonat kyçe të Parisit dhe në periferitë përreth, përfshirë Champs-Élysées.

Në krye të këtij bulevardi, pranë Harkut të Triumfit, u përdor një top uji për të mbrojtur Place de l’Étoile nga turmat që përpiqeshin të kalonin barrikadat.

Ndërkohë, në Place de la Bastille, atmosfera ishte më festive. Tifozët u mblodhën për të kënduar, kërcyer dhe për të ndezur flakadanë, ndërsa shumë të tjerë u bashkuan me entuziazëm në kremtime.

Në një moment, një grup motoçiklistësh ndezën motorët me zë të lartë dhe u përshëndetën me brohoritje nga turma që kishte zënë vend rreth kolonës ikonike. Deri në orën 1 të mëngjesit, aty nuk kishte pranë forca policie dhe atmosfera mbeti paqësore.