Katër ngjarje të rënda janë shënuar gjatë ditës së martë në Shqipëri, ku brenda pak orësh janë regjistruar tri vrasje dhe një shpërthim me tritol.
Në Shkodër, rreth mesditës, 38-vjeçari E. B., punonjës në administratën tatimore, mbeti i plagosur pasi automjetit të tij i ishte vendosur tritol. Shpërthimi ndodhi në momentin kur ai ndezi makinën. I plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia po heton për të zbuluar motivet dhe autorët e mundshëm.
Ndërkohë, në Durrës 25-vjeçari M. K. vrau me thikë babanë e tij, P. K., pas një konflikti të çastit. Autori është arrestuar menjëherë nga policia, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e krimit.
Një tjetër vrasje ndodhi në Tiranë, në zonën e Komunës së Parisit. 34-vjeçari I. I., që punonte si kamerier, u qëllua me thikë nga kolegu i tij, F. Sh., kuzhinier në të njëjtin lokal. Sipas dëshmive paraprake, konflikti nisi për çështje pune dhe përfundoi tragjikisht.
Ngjarja e katërt u regjistrua në Berat, ku pas një zënke për motive të dobëta, 63-vjeçari K. M. (i njohur edhe me emrin K. H.) goditi me mjet prerës 42-vjeçarin K. H., i cili humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.

