Vrasjet në Kosovë janë shtuar shumë kohët e fundit, për motive të ndryshme. Vetëm brenda një javë kanë ndodhur tri vrasje në Kosovë.
Ajo e fundit ndodhi në mbrëmjen e së dielës. Ku dyshohet se një 31 vjeҫare ka vrarë ish partnerin e saj, ndërsa viktima e dytë në rast tragjik dyshohet të jetë gruaja e axhes së saj.
E dyshuara është aktualisht duke u trajtuar në QKUK, por që këta të fundit kanë deklaruar se ajo ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Fenomeni i rritjes së vrasjeve në Kosovë është shumë shqetësues për Kosovën dhe kërkohet marrja e masave për të parandaluar ato.
Kështu është deklaruar edhe eksperti i sigurisë, gjeneral major Muhamet Racaj. Ai përmend arsyet që qojnë deri tek këto vrasje.

Gjeneral major, Muhamet Racaj
“Rritja e vrasjeve në Kosovë gjatë ditëve të fundit nuk është rastësi, por reflektim i një kombinimi faktorësh që i kam theksuar vazhdimisht edhe në analizat e mia: prania e armëve pa leje, dobësimi i besimit në institucionet e sigurisë dhe mungesa e një reagimi të shpejtë e efektiv institucional”, vlerëson ai.
Sipas Racajt, armët ilegale vazhdojnë të jenë “fuqi e rreme” në duart e individëve të pasigurt, duke e kthyer çdo konflikt të zakonshëm në tragjedi fatale.
“Kjo tregon se kemi jo vetëm problem sigurie, por edhe problem kulturor dhe psikologjik në shoqëri. Statistikat e vitit 2025 dëshmojnë se, pavarësisht disa përmirësimeve numerike, siguria reale matet me jetën e qytetarëve – dhe çdo vrasje është dështim i mekanizmave parandalues”, nënvizoi ai.
Ai bën thirrje që institucionet duhet të reagojnë menjëherë në disa drejtime.
“Intensifikimi i aksioneve për konfiskimin e armëve pa leje; forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional (polici–prokurori–gjykata); dënime të shpejta dhe efektive për veprat e dhunshme; rritja e prezencës policore dhe inteligjencës parandaluese në terren”, tha Racaj për ‘Bota sot’.
Ai thekson se, siguria nuk ndërtohet me armë, por me shtet funksional dhe drejtësi që vepron.
“Nëse nuk rikthehet besimi i qytetarëve tek institucionet, atëherë rreziku i përshkallëzimit të dhunës do të mbetet konstant”, vlerëson Racaj.
