Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha të shtunën se anuloi një sulm ushtarak të planifikuar kundër Iranit pasi Teherani dhe “vende të tjera të Lindjes së Mesme” kërkuan kohë për të finalizuar kornizën e një marrëveshjeje paqeje, duke shtuar se edhe Izraeli i është bashkuar këtij angazhimi, transmeton agjensia e lajmeve, Anadolu.
Në një postim në platformën e tij sociale Truth Social, Trump pretendoi se palët kanë rënë dakord për “parametrat” e një marrëveshjeje të mundshme, e cila do të përfshinte rihapjen “e menjëhershme, të plotë dhe totale” të Ngushticës së Hormuzit dhe eliminimin e kërcënimit bërthamor të Iranit.
“ShBA-ja është plotësisht e përgatitur dhe gati të veprojë kundër Republikës Islamike të Iranit, me një nivel force, fuqie dhe kapaciteti ushtarak të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore”, shkroi ai.
Ai tha se edhe Izraeli ka rënë dakord të përmbahet nga sulmet. “Filloni punën, të gjithë, dhe përfundojeni”, shtoi Trump.
