
Gazetari i medias gjermane, DeustcheWelle, Bahri Cani ka komentuar deklaratat që së fundmi ka bërë presidenti amerikan, Donald Trump për çështjen Kosovë-Serbi.
Cani vuri thkesin te deklarata që Trump ka ka parandaluar një luftë të re mes dy shteteve, të cilën e konfirmoi edhe presidentja Osmani.
Gazetari alarmoi duke thënë se situata është më serioze sesa vetëm fjalë goje, kësisoj kërkoi që disa gjëra të thuhen me qartë, përcjell “Bota sot”.
Në këtë pikë, Cani kishte edhe një thirrje për Qeverinë e Kosovës në detyrë.
Shkrimi i plotë
Trump e ka evituar luftën Serbi-Kosovë (!?)
Disa herë kohët e fundit ka folur vetë Trumpi, se e ka parandaluar një luftë të re mes Serbisë dhe Kosovës. Por e ka thënë disi si paqartë, duke përmendur disa kriza në një vend…
Por tani edhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu e konfirmon se “Presidenti Trump e ka ndalur eskalimin në kufirin Kosovë-Serbi, ose ate që Beogradi po përpiqej të bënte në kufirin me Kosovën.”
Ajo i ka bërë këto deklarata gjatë një diskutimi në Hudson Institute ku ka qenë mysafire.
“Presidenti Trump e ka parandaluar një tension, e ka parandaluar një eskalim, atë që Serbia po përpiqej ta bënte në kufirin me Kosovën. Ishte angazhimi i tij personal dhe roli i tij që e parandaloi, që është një lidership i vërtetë në ruajtjen e paqes”, tha Osmani-Sadriu.
Do të thotë situata është më serioze sesa vetëm fjalë goje, apo e kam gabim?
Ndaj do të ishte mirë që gjërat (që mund të thuhen) të thuhen pak më qartë, e disa të thuhen deri në fund, që Vuçiqi të demaskohet deri në fund…
Qeveria e Kosovës në detyrë, me sa di unë, nuk i ka komentuar këto deklarata zyrtarisht deri tani. Ka pasur madje edhe deklarata sipas motos “për eskalimin e mundshëm duhet pyetur Presidentja”. As NATO-ja nuk i ka komentuar ato, me rekomandimin se “për këtë duhen pyetur SHBA dhe Kosova”.
Unë personalisht, duke e njohur jashtëzakonisht mirë politikën serbe, nuk e dyshoj fare që Vuçiqi është i interesuar për ndonjë përshkallëzim diku, në mometin kur po i luhatet pushteti me shumë se kurrë më parë.
Ndaj mendoj se për sigurinë e vendit duhet të flitet pak më hapur, sepse ka të bëjë me të gjithë ne.
Është e pafalshme që Kosova akoma nuk ka Kuvend funksional. Por ka një qeveri në detyrë, e mes saj dhe Presidencës me siguri që mund të ketë dhe duhet të ketë një koordinim edhe më të mirë, ndërsa informacionet e tilla duhet të jepen (ato që mumd të jepen) edhe në opinion.