Lajme

Trump: Irani po tregohet më serioz në negociata, por SHBA-ja mbetet gati për veprim

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vazhdojnë të jenë të larta, megjithatë presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se negociatat mes dy palëve janë ende aktive dhe se Teherani po tregohet më i gatshëm për dialog.

Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se kontaktet me përfaqësuesit iranianë po vazhdojnë.

“Po bisedojmë me ta. Mendoj se po tregohen seriozë”, deklaroi ai.

Sipas presidentit amerikan, pala iraniane po shfaq një qasje më të vendosur se në të kaluarën, megjithëse kjo nuk garanton arritjen e një marrëveshjeje.

“Mendoj se janë shumë më seriozë se sa i kemi parë ndonjëherë më parë, por kjo nuk do të thotë se do të arrijmë një marrëveshje. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Trump.

I pyetur nëse ka marrë vendim për rifillimin e sulmeve të mëdha ndaj Iranit, ai u përgjigj se një vendim i tillë nuk është marrë.

Megjithatë, Trump theksoi se SHBA-ja është e përgatitur të veprojë në rast se situata e kërkon.

“Jemi plotësisht të përgatitur dhe gati për të vepruar. Por, po bisedojmë me ta, kështu që do të shohim se çfarë do të dalë prej kësaj”, shtoi ai.

Deklaratat vijnë në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë zgjeruar edhe në Jemen dhe Detin e Kuq.

Arabia Saudite ka ndërmarrë sulme ndaj pozicioneve të rebelëve Huthi, të mbështetur nga Irani, pasi këta të fundit dyshohet se shënjestruan anije saudite.

Zëdhënësi i ushtrisë saudite, Turki al-Maliki, tha se koalicioni kishte dhënë një “përgjigje vendimtare dhe të fuqishme” ndaj objektivave që kërcënonin sigurinë e lundrimit.

Pas sulmeve, Huthit pretenduan se lëshuan një raketë drejt qytetit saudit Jizan, ndërsa autoritetet aktivizuan paralajmërimet për banorët.

Pakistani dënoi sulmet ndaj anijeve saudite dhe paralajmëroi se çdo kërcënim ndaj interesave të tij detare do të trajtohej si rrezik serioz.

Përhapja e përplasjeve nga Irani në Jemen dhe Detin e Kuq ka rritur shqetësimet se konflikti mund të zgjerohet në një përballje më të madhe rajonale.

Të Ngjashme