Një zyrtar i lartë i Iran ka paralajmëruar se vendi është i përgatitur për një përballje të gjatë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të sulmeve ndaj vendeve të Gjirit për të rritur presionin politik në rajon.
Deklarata u bë nga Kamal Kharazi, këshilltar për politikën e jashtme në zyrën e Liderit Suprem në Teheran, gjatë një interviste për CNN. Ai tha se aktualisht nuk sheh hapësirë për zgjidhje diplomatike të konfliktit.
Sipas Kharazit, përvoja e negociatave të mëparshme me administratën e ish-presidentit amerikan Donald Trump ka krijuar mosbesim të thellë në Teheran.
“Nuk shoh më hapësirë për diplomaci, sepse Donald Trump i mashtroi të tjerët dhe nuk i mbajti premtimet e tij. Ne e përjetuam këtë dy herë gjatë negociatave: ndërsa ishim të angazhuar në bisedime, ata na goditën”, u shpreh ai.
Zyrtari iranian theksoi se strategjia e Teheranit synon rritjen e presionit ekonomik në rajon, me qëllim që vendet e tjera të ndërhyjnë për t’i dhënë fund asaj që ai e cilësoi si agresion amerikan dhe izraelit ndaj Iranit.
Kharazi sugjeroi gjithashtu se vendet arabe të Gjirit duhet të shtojnë presionin ndaj Uashingtonit për të ndalur konfliktin, duke paralajmëruar se përshkallëzimi i luftës po sjell pasoja të rënda ekonomike për rajonin, përfshirë rritjen e inflacionit dhe mungesën e energjisë.
Ai shtoi se nëse përplasjet vazhdojnë, presioni ekonomik mund të rritet edhe më tej, duke detyruar vendet e tjera të ndërhyjnë për të frenuar përshkallëzimin e situatës.
