Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar sërish përmes platformës Truth Social, ndërsa në Islamabad po vazhdojnë bisedimet mes delegacioneve të nivelit të lartë të SHBA-së dhe Iranit.
Në postimin e tij, Trump ka përsëritur pretendimin se Shtetet e Bashkuara kanë shkatërruar kapacitetet ushtarake të Iranit, përfshirë forcën ajrore dhe detare. Ai gjithashtu është shprehur i bindur se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet së shpejti.
Sipas tij, në kuadër të një marrëveshjeje për armëpushim dyjavor, SHBA-ja ka pranuar të pezullojë bombardimet nëse Irani bie dakord për rihapjen e kësaj ngushtice strategjike. Kjo e fundit ishte mbyllur nga Teherani pas sulmeve të ndërmarra nga SHBA-ja dhe Izraeli më 28 shkurt. Ngushtica e Hormuzit është një rrugë kyçe për transportin global të naftës, përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e furnizimit botëror.
Ndërkohë, në një intervistë telefonike për NewsNation, Trump ka deklaruar se nuk është në dijeni se si po zhvillohen aktualisht bisedimet mes palëve.
