Aktuale

Trump paralajmëron: Shtetet e Bashkuara do t’i ndërpresin marrëdhëniet tregtare me Spanjën

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, u takua sot në 3 mars në Uashington me presidentin amerikan Donald Trump, në një moment të ndjeshëm ndërkombëtar pas sulmeve të SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit.

Takimi, i planifikuar për 30 minuta, pritet të zgjasë, për shkak të shumë çështjeve komplekse që kanë dalë në rendin e ditës, duke përfshirë konfliktin në Lindjen e Mesme, tarifat tregtare, marrëdhëniet midis SHBA-ve dhe BE-së, si dhe çështje të tjera strategjike. Trump, në fillim të konferencës për mediat tha se Shtetet e Bashkuara ia kanë arritur qëllimit të tyre, pasi Irani është shkatërruar.

Trump paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të ndërpresin çdo raport tregtar me Spanjën.

“Do ta ndërpresim gjithë tregtinë me Spanjën. Nuk duam të kemi asgjë me Spanjën”, tha ai.

Ky vendim erdhi pasi qeveria spanjolle refuzoi përdorimin e bazave të saj ushtarake për operacionet amerikane kundër Iranit. Të paktën 11 avionë karburanti KC-135T dhe KC-135R të SHBA-ve u larguan nga bazat spanjolle Rota dhe Morón të dielën, pasi Spanja kundërshtoi operacionin.

Ministri spanjoll i jashtëm, José Manuel Albares, tha se bazat ushtarake spanjolle nuk do të përdoren për asgjë që shkon jashtë marrëveshjes me SHBA-të dhe Kartën e OKB-së. Qeveria spanjolle konfirmoi se kishte ndaluar përdorimin e bazave të saj nga forcat amerikane, të përfshira në sulmin ndaj Iranit.

Ndërsa, Merz u shpreh se shpreson që lufta në Lindjen e Mesme të mbarojë. Ai tha se Gjermania qëndron pëkrah SHBA-ve, duke deklaruar se Irani qeveriset nga një regjim barbar.

Partia qendrore e majtë SPD, që qeveris në koalicion me Unionin ku bën pjesë Merz-i, e konsideroi këtë takim si një mundësi për të pyetur Trump mbi strategjinë amerikane për Iranin. Matthias Miersch, sekretari i përgjithshëm i SPD-së, tha se, sipas të dhënave aktuale, ligji ndërkombëtar nuk po respektohet dhe se shtetet që varen nga rendi ndërkombëtar duhet ta theksojnë këtë. Ai shtoi se SPD nuk ndjen keqardhje për regjimin iranian, por se dënon sulmin.Edhe nga të Gjelbërtit ka pasur kërkesë, që Merz të kërkojë një shpjegim nga Trump mbi strategjinë amerikane dhe të theksojë rëndësinë e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe ligj, për mbrojtjen e demokracisë dhe stabilitetit rajonal. Britta Hasselmann, udhëheqësja parlamentare e Gjelbërve, pyeti: “Cila është strategjia tani? Çfarë i pret tanimë njerëzit në Lindjen e Mesme?”. Ajo kritikoi gjithashtu sulmin e koordinuar SHBA-Izrael, si të paautorizuar sipas ligjit ndërkombëtar.Para takimit me Trump, Merz zhvilloi një mëngjes pune me përfaqësues të kompanive gjermane dhe amerikane, ku morën pjesë ndër të tjera: BMW, T-Mobile, Boehringer Ingelheim, Honeywell, Boston Consulting Group, dhe kreu i Lockheed Martin. Ky takim kishte rëndësi të veçantë, pasi Gjermania ka porositur 35 avionë luftarakë F-35 nga Lockheed Martin, duke forcuar bashkëpunimin industrial dhe ushtarak midis vendeve.

Merz komentoi sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit të dielën pasdite, duke paralajmëruar për rreziqet e mëdha që këto sulme sjellin, por duke shmangur kritikën e drejtpërdrejtë për shkeljet e mundshme të ligjit ndërkombëtar. Kancelari tregoi kujdes, duke theksuar nevojën për paqe dhe stabilitet në rajon.

Që nga vizita e tij e fundit në Uashington, temat kryesore nuk kanë ndryshuar shumë, përveç luftës së re në Iran. Tarifat tregtare mbeten një çështje e nxehtë. Trump ka vendosur tarifa të reja prej 15% për të gjithë partnerët tregtarë, duke pezulluar ratifikimin e marrëveshjes me BE-në. Lufta në Ukrainë vazhdon dhe Trump ka qenë më pak mbështetës krahasuar me presidentin e mëparshëm dhe aleatët europianë. Çështja e Groenlandës është rikthyer si problem strategjik, pasi Trump ka shprehur interes për ta marrë si territor të SHBA-ve, duke tensionuar marrëdhëniet me disa vende të NATO-s.

Takimi Merz-Trump zhvillohet në një moment kur çështjet ndërkombëtare dhe rajonale sfidojnë politikën e jashtme gjermane, dhe kancelari pritet të përpiqet të mbajë qëndrim të qartë për ligjin ndërkombëtar, paqen në Lindjen e Mesme dhe bashkëpunimin industrial dhe ushtarak midis Gjermanisë dhe SHBA-ve. Kjo vizitë, e cila fillimisht ishte planifikuar në një kontekst më të qetë, tashmë ndodh mes tensioneve të reja dhe rrezikut të konfliktit të zgjeruar.

Të Ngjashme