Lajme

Trumpi paralajmëron se lufta me Iranin mund të përfundojë së shpejti

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mendon se lufta kundër Iranit “është shumë e kompletuar” dhe se Uashingtoni është “shumë përpara” kornizës kohore të vlerësuar paraprakisht prej katër deri në pesë javësh, sipas një interviste në televizionin “CBS News”.

“Mendoj se lufta është shumë e kompletuar, goxha shumë. Ata [iranianët] nuk kanë forcë detare, nuk kanë komunikime, nuk kanë forcë ajrore” – tha presidenti amerikan, transmeton agjencia “Reuters”.

Kur u pyet për Ngushticën e Hormuzit, Trumpi tha se anijet janë duke kaluar nëpër këtë rrugë detare tani, por se ai “po e mendon marrjen e saj nën kontroll”.

Ngushtica e Hormuzit është njëra nga rrugët kyçe detare të naftës, duke shërbyer si vijë transportuese e rreth një të pestës së karburanteve globale dhe gazit natyror të lëngëzuar. Lufta e ka lënë ngushticën pothuajse të mbyllur.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli filluan që ta sulmonin Iranin më 28 shkurt dhe Irani është kundërpërgjigjur me sulme ndaj Izraelit dhe shteteve të Gjirit Persik që kanë baza amerikane.

Trumpi ka dhënë objektiva dhe afate të ndryshme deri më tani për luftën që ka lënë shumë të vrarë në Iran, përfshirë liderin suprem, Ayatollah Ali Khamenei.

Sa i përket liderit të ri suprem të Iranit, Mojtabla Khamenei, i cili është i biri i Ali Khameneit të vrarë, Trumpi tha: “Nuk kam porosi për të.” Presidenti amerikan tha se ka dikë në mendje për ta udhëhequr Iranin, por nuk dha hollësi.

Më parë, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se dëshiron që të ketë gisht në përcaktimin e udhëheqësit të ri të Iranit, por një gjë e tillë është hedhur poshtë nga Teherani.

Të Ngjashme