Lajme

​Trupat e pajetë e tri viktimave në Vjenë u nisën drejt Kosovës

Ambasada e Kosovës në Vjenë bëri të ditur se janë përmbyllur të gjitha procedurat e nevojshme për kthimin në atdhe të tre shtetasve të Kosovës që humbën jetën në një kantier ndërtimi në kryeqytetin austriak tri ditë më parë.

Në njoftim të ambasadës thuhet se në koordinim të ngushtë me familjarët dhe autoritetet kompetente austriake, trupat e pajetë të Asllan Musliut (49 vjeç), Istref Zekajt (46) dhe Pajtim Bajramit (36) janë nisur pasditen e sotme drejt Kosovës.

Ambasada ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë të prekurit nga kjo humbje e rëndë.

“Në këto momente të vështira, shprehim edhe një herë ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e të ndjerëve, të afërmit e tyre dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje”, thuhet në reagim, duke shprehur njëherësh mirënjohje për bashkatdhetarët në Austri, të cilët, sipas ambasadës, treguan solidaritet dhe gatishmëri për të ndihmuar gjatë kësaj periudhe të vështirë.

Tragjedia në Austri ka ndodhur kur gjatë punimeve në betonimin e kulmit të një objekti është shembur një pjesë e konstruksionit, bashkë me skelet në të cilat kanë qenë duke punuar pesë punëtorë,katër prej tyre humbën jetën, tre prej të cilëve shtetas të Kosovës.

Të Ngjashme