Trupi i një 25-vjeçari shqiptar, banor i Santa Vittoria d’Alba (Cuneo) të Italisë, u gjet në fundjavë (20 shkurt), në një copë toke pranë rrugës Chivola, e cila të çon nga qendra e Bra, në fshatin historik të Pollenzo (Torino).
Fillimisht nuk pati shkaqe konkrete për ngjarjen dhe u pritën rezultatet paraprake të hetimit, por i riu kishte një plagë serioze në kokë dhe gjurmë gjaku në vendngjarje.
Ekspertimi konfirmoi se bëhej fjalë për një ekzekutim nga afër me plumb në kokë dhe Forenzika (Policia Shkencore) e ka rastin nën verifikim.
Një shofer që po kalonte vuri re praninë e tij pranë një ‘Lancia Ypsilon’ me ngjyrë të zezë, që ka të ngjarë të jetë në pronësi të viktimës, dhe ngriti alarmin.
Autoritetet nuk e kanë konfirmuar këtë, por me sa duket ai është vrarë nga një plumb në kokë.
Arma nuk u gjet në vendngjarje, kështu që nuk ka dyshim se ishte një vrasje. Kjo teori mbështetet edhe nga fakti se trupi u gjet pjesërisht i mbuluar me rërë.
Hetimi për incidentin po kryhet nga oficerë të karabinierëve të kompanisë së qytetit dhe njësia hetimore e komandës provinciale të Cuneos, të koordinuar nga prokurorja publike Sara Paterno e Zyrës së Prokurorit të Astit, informon media italiane.
Paterno ka urdhëruar një autopsi mbi trupin, e cila po kryhet në vijim, teksa pritet zbardhja e krimit. Sipas autoriteteve, i riu nuk kishte precedentë penalë dhe kjo e vështirëson hetimin për zbardhjen e motivit të ekzekutimit.
