Lajme

Turqia hyn në lojë: Erdoğan ofron ndërmjetësim mes Iranit dhe SHBA-së

Përpjekjet e vazhdueshme të fuqive rajonale për të ndërmjetësuar një marrëveshje mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara po përballen me një pengesë thelbësore: hendekun e thellë strategjik mes palëve.

Administrata amerikane, nën presidentin Trump, po artikulon kushte që Irani i konsideron ekzistenciale dhe të panegociueshme, ndalim të plotë të pasurimit bërthamor, kufizim drastik të programit raketor balistik dhe heqje dorë nga kapacitete që Teherani i sheh si elemente kyç.

Kjo qasje, e bën dialogun formal pothuajse të pamundur, pavarësisht retorikës për hapje diplomatike. Si rezultat, distanca mes palëve jo vetëm që mbetet e madhe, por po thellohet.

Në këtë kontekst tensioni, Irani po përpiqet të forcojë koordinimin me aktorë rajonalë që i sheh si më pragmatikë. Vizita e ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në Turqi pasqyron këtë strategji.

Moneytizer Paragrafi 4

Teherani e sheh Ankaranë si një partner kyç në menaxhimin e sfidave rajonale dhe si një kanal potencial për uljen e tensioneve me Washingtonin. Araghchi theksoi nevojën për “konsultime më të afërta” me Turqinë, duke nënvizuar ndryshimet serioze që po ndodhin në rajon, veçanërisht për shkak të qëndrimeve amerikane.

Paralelisht, Irani ka ashpërsuar ndjeshëm tonin ndaj Bashkimit Europian. Vendimi i BE-së për të shpallur Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si organizatë terroriste është interpretuar në Teheran si një gabim strategjik dhe dëshmi e asaj që zyrtarët iranianë e quajnë mungesë kuptimi të realiteteve rajonale nga ana e Europës. Araghchi e përshkroi BE-në si një “kontinent në rënie”, ndërsa figura të larta të sigurisë, si Ali Shamkhani, paralajmëruan për kundërmasa të menjëhershme.

Reagimi iranian lidhet ngushtë edhe me kontekstin e luftës në Gaza.

Teherani akuzon Perëndimin për standarde të dyfishta: mbështetje për Izraelin, ndërsa kriminalizon strukturat iraniane që, sipas Iranit, kanë luftuar kundër grupeve si ISIS. Ky diskurs synon të legjitimojë pozicionin iranian si pjesë e një “rezistence rajonale”, jo si burim destabilizimi.

Në këtë mozaik tensioni, Turqia po përpiqet të pozicionohet si ndërmjetës.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka shprehur gatishmërinë për të luajtur një rol lehtësues mes Teheranit dhe Washingtonit, duke reflektuar interesin e Ankarasë për të parandaluar një përshkallëzim që do të rrezikonte stabilitetin rajonal.

Kontakti i drejtpërdrejtë mes Erdoganit dhe presidentit iranian Masoud Pezeshkian, si edhe pritja e Araghchit në Ankara, tregojnë përpjekje konkrete për diplomaci paralele.

Në thelb, këto zhvillime tregojnë një Iran që ndihet gjithnjë e më i rrethuar nga Perëndimi, por që njëkohësisht po kërkon të forcojë aleanca rajonale për të balancuar presionin.

Ndërsa SHBA-ja dhe BE-ja po rrisin kërkesat dhe sanksionet, Irani po përgjigjet me rezistencë, diplomaci selektive dhe paralajmërime, duke e bërë kompromisin afatshkurtër shumë të vështirë.


Të Ngjashme