Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar të enjten, Fatmir Shehollin i dyshuar për përfshirje në spiunazh.
Prokuroria Speciale e Kosovës tha se i dyshuari u arrestua në rrethin e Prishtinës pas hetimeve disamujore dhe se ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, tha se Sheholli është një burrë që ka pasur “hapësira të pakufizuara” në mediat e Kosovës, dhe se ai ka “bashkëpunuar me aktorë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj”.
Por së fundmi ka nisur të ri-publikohet një video nga një deklaratë e kryeministrit në detyrë Albin Kurti drejtuar deputetit të PDK-së, Hisen Berisha nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ku i kërkonte të mos e takonte Fatmir Shehollin.
“Të gjitha këto akuza që mi bëtë mua unë mund t’ju përgjigjem vetëm një gjë këtyre akuzave, ju mund ta ndihmoni shtetin e Kosovës dhe unë kam një kërkesë për juve. Mos e tako Fatmir Shehollin, veç mos rri me Fatmir Shehollin bashkëpunëtorin e Serbisë. Po te na nuk ka Prokurori. Vetëm dil në foltore edhe thuaj nuk takohem më me Fatmir Shehollin, kontribut ma të madh për Republikën e Kosovës nuk mund të jep”, kishte deklaruar Kurti.
Berisha iu kishte përgjigjur Kurtit se “për Fatmir Shehollin s’du mu marr ai është qytetar i lirë i Republikës së Kosovës. Shko boni padi edhe futeni në burg. Nuk është hiq ma i keq si Simiqi e Radoiçiqi që keni bashkëpunu për çdo vendim që keni marrë në këtë Kuvend”.
																									 
														 
																													 
													 

