Kishin mbetur të bllokuar në një terren tejet të thepisur dhe me dëborë, në vendin e quajtur “Qafa e Valbonës”, shpëtohen dy turistët nga Belgjika.
Policia e Tropojës, në bashkëpunim me ekipin e kërkim-shpëtimit të Valbonës, njoftoi sot në mbrëmje (10 prill) se u kanë ardhur në ndihmë turistëve.
“Rreth orës 14:00, është marrë njoftim se 2 turistë nga Belgjika, duke eksploruar Alpet e Valbonës, kishin mbetur të bllokuar për shkak të terrenit të thepisur dhe me dëborë. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim me ekipin e kërkim-shpëtimit Valbonë, organizuan punën dhe nisën kërkimet për lokalizimin e turistëve. Pas disa orësh kërkime në këmbë, nga shërbimet e Policisë dhe ekipi i kërkim-shpëtimit Valbonë, në vendin e quajtur “Qafa e Valbonës”, u lokalizuan dy turistët që kishin mbetur të bllokuar”, thuhet në njoftimin zyrtar.Turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë akomoduar në një bujtinë në Valbonë.
“Ata kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe ekipin e kërkim-shpëtimit për ofrimin e menjëhershëm të ndihmës. Drejtoria Vendore e Policisë Kukës fton qytetarët që, për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112”, sqaron policia vendore për rastin.
